Rubio takohet me kryeministrin e Katarit, përpara vizitës në Izrael
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio u takua mbrëmë me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, përpara se të udhëtojë drejt Izraelit këtë fundjavë, në përpjekje për të balancuar marrëdhëniet me dy aleatët kyç në Lindjen e Mesme, sipas AP.
Vizita e tij vjen disa ditë pasi Izraeli goditi udhëheqës të Hamasit në Doha, ku ata po shqyrtonin një propozim amerikan për armëpushim në luftën gati dyvjeçare në Gaza.
Rubio dhe nënpresidenti JD Vance zhvilluan takimin me kryeministrin e Katarit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa më vonë presidenti Donald Trump dhe i dërguari special Steve Witkoff darkuan me të në Nju Jork, ku Trump ndodhej për të përkujtuar përvjetorin e 11 shtatorit.
Administrata e presidentit Trump po ecën në një ekuilibër të brishtë mes dy aleatëve pas sulmit të Izraelit në Doha, i cili ka rritur zemërimin e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Trump është përpjekur të distancohet nga goditja, duke thënë se ajo “nuk i shërben as qëllimeve të Izraelit, as të Amerikës” dhe ka siguruar Katarin se nuk do të përsëritej.
SHBA -ja bashkua edhe një deklarate të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e dënonte sulmin, pa e përmendur Izraelin me emër.
Rubio do të shkojë nesër në Izrael për një vizitë dyditore.

