BERLIN – 15 mijë veta priten të mblidhen në një miting për Gazën
Të paktën 15 000 persona janë regjistruar për të marrë pjesë sot në një miting me moton “Ndalo gjenocidin në Gaza”, që do të mbahet në qendër të Berlinit, në një ngjarje ku do të ketë edhe një fjalim të themeluesit të grupit legjendar muzikor “Pink Floyd , Roger Waters.
Waters do t’u drejtohet protestuesve nga Nju Jorku përmes një video-lidhjeje, sipas deputetes Sahra Wagenknecht, e cila drejton partinë populiste që mban emrin e saj (BSW) dhe është bashkëorganizatore e demonstratës.
Wagenknecht hodhi poshtë akuzat për antisemitizëm ndaj yllit të rokut, i cili është përballur me protesta dhe kritika gjatë koncerteve të tij për shkak të mbështetjes së tij për lëvizjen “Boycott, Divestment, and Sanctions” (BDS), që nxit presionet ndaj Izraelit për veprimet në territoret e pushtuara palestineze.
“Unë nuk besoj se kritikat ndaj qeverisë izraelite duhet të etiketohen si antisemitizëm”, tha Wagenknecht, partia e së cilës, e themeluar vetëm në fillim të vitit të kaluar, ka rënë në harresë pasi nuk arriti të hynte në parlament në zgjedhjet e shkurtit në Gjermani.
Ndryshe nga qeveria konservatore në Berlin, Wagenknecht ka e ka përshkruar në mënyrë të përsëritur fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, e cila erdhi si përgjigje ndaj sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor, si gjenocid ndaj palestinezëve.
Protesta për Gazën synon gjithashtu të shprehë kundërshtimin ndaj dërgesave të armëve në zonat e luftës dhe ndaj armatosjes më të madhe nga ana e Gjermanisë.
Ajo u bën thirrje autoriteteve të punojnë për negociata paqeje dhe për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme, si dhe për diplomaci në luftën në Ukrainë.

