Shërbimi Sekret Amerikan pezullon agjentin që shkroi një postim negativ në Facebook për Charlie Kirk
Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka pezulluar nga detyra një prej agjentëve të tij dhe i ka hequr autorizimin e sigurisë, pasi ai shprehu opinione negative në rrjete sociale për aktivistin konservator Charlie Kirk, i cili u vra së fundmi, raportojnë dy zyrtarë amerikanë.
Agjenti Anthony Pough shkroi të mërkurën në Facebook se Kirk kishte “përhapur urrejtje dhe racizëm në emisionin e tij” dhe shtoi: “Në fund të ditës, i përgjigjesh Zotit… karmën nuk e shmang dot askush, ajo nuk ikën.”
Në një memo drejtuar stafit, e shpërndarë nga CBS News, drejtori i Shërbimit Sekret Sean Curran paralajmëroi se sulmet me motive politike në SHBA janë në rritje dhe punonjësit nuk duhet t’i ndezin më tej tensionet.
“Sulmet e motivuara politikisht në vendin tonë po shtohen çdo ditë. Burrat dhe gratë e Shërbimit Sekret duhet të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit,” shkroi Curran.
Zyra e Shërbimit Sekret theksoi në një deklaratë se nuk do të tolerojë sjellje që cenon kodin e etikës: “Punonjësi u pezullua menjëherë nga detyra dhe hetimi ka nisur.”
Curran, në mesazhin e tij, kujtoi se agjentët kanë dhënë betim për të mbrojtur të zgjedhurit dhe institucionet me standardet më të larta të sjelljes brenda dhe jashtë detyrës.
“Kur veprimet tona tërheqin vëmendjen publike për arsye të gabuara, ne dështojmë në detyrë dhe rrezikojmë besimin që është thelbësor për misionin tonë. Duhet të operojmë çdo ditë paanshmërisht ndaj përkatësive politike,” theksoi Curran.
Anthony Pough ende nuk ka reaguar pas publikimit të lajmit
