Artur Zheji... që njoha unë!
Humbja e Artur Zhejit tronditi shumë prej nesh, sigurisht jo të gjithë, sepse nuk mund të ketë tronditur, minimalisht, ata që vet Zheji, në analizat e tij, ku fjalën e ''rrihte'' si ai poçari i thinjur që e përkëdhel dhe e fërkon enën prej balte deri sa të marrë formën perfekte, i kishte subjekt e objekt kritike e zhgënjimi.
Madje kjo ishte pjesa më vitale e analizave të tij mediatike, sepse ata që ''krehin bishta'' dhe janë ''shokë'' me të gjithë janë tjetër lloj rrace.
Artur Zhejin e njoh prej shumë vitesh, na ka lidhur media sigurisht.
Ka qenë ndër të paktët, për të mos thënë: i vetmi që më ka ftuar shpesh në panelet e tij shumë vite më parë, me emisionin e njohur ''360 gradë'', që duket sikur edhe emrin ja kishte vendosur vetëm per vete.
Ky treg është kaq i madh sa ka ''lloj e soj'', por Arturi karakterizohej nga modestia në kufijtë e madhështisë, por që të hyje në këtë paradhomë, duhej të hapje filimisht perden e hollë të ftohtësisë në kufijtë e arrogancës në dukje, që e mbante si mburojë, i detyruar nga realiteti i egër... por pasi merrje këtë ''leje'', ai të hapte derën, edhe nëse ishe i ri dhe shumë larg kalibrit të tij asokohe.
Por ai e dinte që këta kishin më shumë vlerë se ''pleqtë'' e qëmotit që vetëm e gudulisnin analizën... se i prishej ''status-quo''-ja në të gjitha kuptimet.
Artur Zheji të trajtonte në konfidencialitet me thjeshtësinë e tij dinjitoze, edhe pse ishte emër i madh në media, sepse kushtet për të qenë si ''të gjithë'' i kishte kryekëput.
Më kujtohen hapësirat e publicitetit, kur të gjithë shkujdeseshin për biseda po të tilla, sa të rivinte koha e hyrjes në transmetim ''live'', por Arturi nuk rrëmbehej nga kjo.
Ai e shfrytëzonte dhe këtë hapësirë për të kërkuar më shumë nga të gjithë në shërbim të qëllimit pse ishim ulur në ato panele.
Këto nuk ishin takimet e mia të para me Arturin.
Më kujtohet edhe më herët kur e intervistoja në zyrën e tij në ambientet e MAPO-s.
Unë ende konsiderohesha në fillimet e mia, dhe më bënte përshtypje, njëkohësisht e admiroja njeriun që kisha përballë sepse nuk ishte ''prerje'' e zakonshme, siç themi ne, ishte ndryshe.
Qasja e tij i kishte të gjitha ngjyrat, një burrë i ditur, mjeshtër i fjalës, modern, garip, djaloshar, atipik ndoshta për moshën dhe kohën.
Në fakt, kjo ishte qasja perëndimore, që të gjithë rrekeshin ta përfaqësonin me propagandë, por maksimumi vetëm kostumin kishin blerë nga ato anë, se mendjen... .
Pas ndarjes nga jeta të tij, reagimet vërshuan ''lumë'', siç ndodh rëndom kur njerëzit ikin nga kjo botë, por sa e sa nga këta që nxituan të thurnin disa fjali të shkurtra pa u lodhur, as që i silleshin njësoj si tani.
Megjithatë një gjë është pak po e sigurt, që si ata që i shkruan dy fjalë nga halli e si ata që i nxorën nga shpirti, Shqipëria humbi një gazetar, një publicit... një artist, sepse edhe nuk mund të ishte ndryshe Artur Zheji, pasi rridhte nga një familje e këtij kalibri dhe kontributin e kishte familjar e të shtrirë në vite.
Reagimet për humbjen e Zhejit erdhën nga të gjitha anët.
P.sh krerët e Kosovës i treguan mirënjohjen Artur Zhejit, për kontributin edhe në çështjen kombëtare të Kosovës, përtej gazetarisë së thjeshtë apo robotike që nuk ka lidhje me kauza të mëdha, sic rëndom e praktikojnë në këto treva sot e qëmoti...
E meqë këta rreshta janë personal, le të mbetemi këtu.
Personalisht, Artur Zhejin e kisha pjesë të grupit që numërohet me gishtat e njërës dorë, të analistëve në këtë vend, dhe e ndiqja me kërshëri, pavarësisht se nga ku fliste e nga kush intervistohej.
Analiza e Zhejit ndonjëherë dukej aq e pasur dhe e thellë, saqë stononte shumë me ''kolegët'' e tij dhe ndoshta kjo e diferencoi lehtë që prej fillimit.
Madje ndoshta ata që nuk e pëlqenin, me siguri nuk e kupotonin dot, sepse metafora e Zhejit mbyste çdo replikë që mund t'i vinte nga ana tjetër e studios.
Artur Zheji iku parakohe, dhe ironia e fatit është se rreth një vit më parë, ai duket se i shkroi vetë vdekjes, që nuk e dinte se do e merrte pas një viti.
''Zonja e Zezë e Madhështore'' do ta quante... me siguri që sot është i zemëruar shumë me të... e nëse andej ku kërkohet e gjendet paqja që nuk ekziston në Tokë, e do të ketë një Penë, me gjasë do t'i shkruajë të parës, pikërisht kësaj ''Zonje''.
Artur Zheji iku në kulmin më vital të karrierës dhe krijimtarisë së tij... pena e tij ishte ende shumë e mprehur për të shkruar e analizuar për shumë halle që ka ky vend... iku shumë afër ''Shtatorit'', nga ku do të rifillonte sezonin e tij mediatik, e ku kishte shumë për të thënë, se këtej në Tokën tone mëkatare, ''Shtatori'' është shumë i zhurmshëm dhe ky Shtator me siguri do të jetë më i varfër në këtë drejtim...
Në karrigen e Zhejit mund të ulen shumë, por shokët e mendjes së tij do vazhdojnë të jenë të paktë... !


