Rusia tërhiqet nga Konventa Evropiane kundër torturës

Rusia planifikon të tërhiqet zyrtarisht nga konventa evropiane kundër torturës. Presidenti Vladimir Putin ka paraqitur një projektligj  lidhur me këtë në parlamentin rus, raportoi sot  agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Tërheqja nga konventa do të hiqte mundësinë e fundit që komiteti kundër torturës i Këshillit të Evropës (CPT) të monitorojë gjendjen në burgjet ruse dhe trajtimin e të burgosurve.

Edhe pse Rusia ka qenë anëtare e konventës që nga viti 1997, aktivistët e të drejtave civile kanë denoncuar gjithmonë se torturat dhe trajtimet çnjerëzore janë të përhapura në stacionet e policisë dhe qendrat e paraburgimit në Rusi.

Pothuajse të gjithë të burgosurit ukrainas të luftës që janë shkëmbyer kanë raportuar gjithashtu se janë torturuar në Rusi.

Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës e vitit 1987 është një traktat i Këshillit të Evropës, organizata më e madhe ndërqeveritare për të drejtat e njeriut në Evropë.

Rusia u përjashtua nga Këshilli i Evropës në vitin 2022 për shkak të luftës së agresionit kundër Ukrainës. Moska e justifikon tërheqjen nga konventa kundër torturës duke thënë se nuk mund të marrë më pjesë në komitetin kundër torturës.