Kamberi: Bashkëpunimi kulturor dhe arsimor me Shqipërinë, thelbësor për Luginën e Preshevës
Deputeti i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi kërkoi sot që Republika e Shqipërisë dhe trupa e saj diplomatike të ndikojë në sensibilizimin sa më të madh të pozitës së vështirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në fjalën e tij në panelin e dytë “Shqiptarët në rajon – identitet i përbashkët evropian: Fuqizimi i zërave rajonalë në rrugën drejt BE-së”, në Konferencën e ambasadorëve shqiptarë “Diplo 2025”, Kamberi shprehu kënaqësinë për përshpejtimin e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, por edhe brengën për pozitën politike në të cilën kalon komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës.
Kamberi falënderoi qeverinë e Shqipërisë për një qasje konstruktive që po tregon për shqiptarët në rajon.
“Shqiptarët në rajon ndajnë historinë, gjuhën, traditën dhe kulturën e përbashkët, por mbi të gjitha aspiratën për shoqëri demokratike, një shoqëri të zhvilluar, një shoqëri në kuadër të vlerave të Bashkimit Evropian”, tha Kamberi.
Kjo, shtoi ai, “është parakushti themelor për ndërtimin e një paqeje afatgjatë dhe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”.
Megjithatë u shpreh ai, “për ne në Luginë të Preshevës rruga drejt BE-së mbetet sfiduese. Tensionet ndëretnike, aspiratat hegjemoniste të Serbisë, ngadalësimi i reformave dhe mungesa e qasjes së trajtimit të barabartë të të gjithë njerëzve njësoj, kërkon vizion, dialog dhe lidership të përgjegjshëm, i cili mjerisht në Serbi nuk ekziston”.
Sa i përket shqiptarëve në tërësi, Kamberi tha se, “rruga jonë drejt BE-së, natyrisht mbetet puna në forcimin e institucioneve, angazhimi për garantimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kjo jo thjesht si një detyrim ndaj Brukselit, por si një aspiratë e jona për një shoqëri demokratike”.
Ai nënvizoi se një rol të veçantë ka sigurisht edhe bashkëpunimi kulturor dhe arsimor që krijon ura komunikimi, afron brezat e rinj dhe shndërron trashëgiminë tonë të përbashkët në një forcë zhvillimi dhe inovacioni.
Kjo, shtoi ai, “sidomos është e rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës që bashkëpunimin në arsim dhe kulturë me republikën e Shqipërisë e shohin si thelbësor për të ardhmen e vet”.
Për shqiptarët, tha ai, “rruga evropiane nuk ka alternativë, në dallim nga të tjerët që shohin dhe paraqesin alternativa të tjera”.
Ai përmendi disa propozime që ka ndërmarrë në parlamentin serb të cilat kanë për qëllim avancimin të drejtave të pakicave në Serbi, por që nuk janë pranuar nga parlamenti serb.
Duke folur për pasivizimin e adresave, Kamberi u shpreh se, “sot mora një informacion të gëzueshëm që do të ketë ndoshta një zhvillim në institucionet evropiane lidhur me këtë temë, por pasivizimi thjesht është një proces administrativ i spastrimit etnik”.
Po ashtu, shtoi ai, “edhe mosnjohja e diplomave numerikisht ndikon në largimin në masë tashmë prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të 17 gjeneratave të të rinjve dhe të rejave shqiptare, 70% e të cilëve që i kanë mbaruar studimet në Kosovë, që nuk i njihen diplomat. Të gjithë ata kanë kërkuar strehim në vendet e BE-së”.
Kamberi foli për mundësinë që Republika e Shqipërisë dhe trupa e saj diplomatike të ndikojë në sensibilizimin sa më të madh të pozitës së vështirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Këtë ta bëjë pavarësisht përmes diplomatëve të vet, apo në një bashkëpunim të koordinuar dhe bashkërenduar me Republikën e Kosovës”, tha Kamberi duke apeluar, që “të jetësohet një premtim i kahmotshëm, një vendim i dy qeverive i ndërmarrë në Prizren për krijimin e fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës”.
