Trump: Gati për fazën e dytë të sanksioneve ndaj Rusisë

Presidenti amerikan Donald Trump sinjalizoi dje se është gati të rrisë presionin ndaj Rusisë me një fazë të dytë të sanksioneve.

I pyetur nga një gazetar në Shtëpinë e Bardhë nëse ishte i gatshëm të hynte në fazën e dytë të sanksioneve ndaj Moskës, Trump u përgjigj: “Po”, pa dhënë detaje të tjera. Fillimisht mbeti e paqartë nëse do të vendoseshin realisht  sanksione të reja dhe nëse po, kur.

Ditë më parë, Trump kishte lënë të kuptohej se planet ishin në zhvillim për një fazë të dytë dhe të tretë sanksionesh,  përveç tarifës shtesë prej 25% mbi importet nga India, si ndëshkim për blerjen e naftës ruse. Ai nuk dha sqarime të tjera.

Shtetet e Bashkuara i shohin sanksionet si një mënyrë për të ushtruar presion ndaj presidentit rus Vladimir Putin, me synimin që ta detyrojnë të ulet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Deri më tani, përpjekjet diplomatike të Trump në këtë drejtim nuk kanë qenë të suksesshme.

Putin është akuzuar kohët e fundit se po vonon një takim të drejtpërdrejtë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë, disa zyrtarë evropianë, të kryesuar nga i dërguari i BE-së për sanksionet, David O’Sullivan, do të shkojë  sot në Uashington për një takim ku do të diskutohet për forma të ndryshme të presionit ekonomik ndaj Rusisë, përfshirë sanksione të reja, konfirmoi një zëdhënës i Komisionit Evropian.

“Ne jemi të përgatitur të rrisim presionin ndaj Rusisë, por na duhen partnerët tanë evropianë që të na ndjekin,” tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, për televizionin NBC News.

“Dhe nëse SHBA dhe BE-ja mund të hyjnë së bashku, të vendosin më shumë sanksione, tarifa dytësore mbi vendet që blejnë naftë ruse, atëherë ekonomia ruse do të shkojë drejt kolapsit të plotë dhe kjo do ta detyrojë presidentin Putin të ulet në tryezë”, shtoi ai.