Vit i ri me “halle” të vjetra/ Tushi: Shkolla është vend i shenjtë, por nuk po shkëlqen që nga mësim-dhënia tek...

Nesër nis viti i ri shkollor për rreth 345 mijë nxënës dhe 31 mijë mësues.

Ministrja Manastirliu nënvizoi se viti i ri shkollor me risi dhe investime të rëndësishme, ndërsa shtoi se mësuesit, psikologët, punonjësit socialë, oficerët e sigurisë dhe i gjithë stafi i shkollave tona janë gati të mirëpresin nxënësit në ditën e parë të shkollës.

Por si e gjen ky vit i ri shkollën shqiptare?

Sociologu Gëzim Tushi në një intervistë për “Ora News” bëri një panoramë të situatës në sistemin arsimor shqiptar.

“Dita e parë e shkollës duhet parë si një ngjarje e madhe kombëtare pasi bëhet fjalë për institucionin e dijes, edukimit së bashku me armatën e mësuesve dhe nxënësve.

Po ashtu nesër është një ditë e madhe dhe e përjetimit emocional, pasi ky emocion është edhe individual, sidomos për ata që hyjnë për herë të parë në ambientet e shkollës.

Pasi kalimi nga arsimi parashkollor në kopshte tek kalimi në shkollë është një kapërcim i madh dhe që duhet vlerësuar jo vetëm nga mësuesit, por edhe nga prindërit, për t’i trajtuar të vegjlit me kujdes pasi nuk është gjë e lehtë.

Natyrisht kjo industri e madhe e dijes ka dhe problemet e veta, ku shkolla përballet me shumë probleme të mëdha dhe të brendshme që kanë të bëjnë me mënyrën e funksionimit të saj, ka të bëjë me raportet mësues – nxënës – prindër.

Po ashtu, ka të bëjë me një lloj trekëndëshi të lëkundur  që janë marrëdhëniet mes familjes – shkollës dhe shoqërisë, si një themel i rëndësishëm.

Shkolla është një vend i shenjtë ku njerëzit jo vetëm marrin dije por edhe formohen si qytetarë, dhe kjo është një nga pikat e dobëta të shkollës shqiptare.

Pasi siç dhe dihet, për fat të keq në vitet e mëparshme dhe uroj të mos ndodhin më ne kemi pasur raste të agresivitetit, të dhunës, bullizmit, apo edhe të vrasjeve dhe vetëvrasjeve si rrjedhojë e këtyre fenomeneve dhe kjo tregon dhe flet për një anomali të shkollës dhe mbetet një problem, i cili nuk po merr dot zgjidhje.

Pra, shkolla është e përqendruar në mënyrë të natyrshme tek metodat e mësim-dhënies dhe mësim-nxënies, por kjo njëanshmëri dhe ky shikim semplist i rolit të shkollës tonë është me pasoja jashtëzakonisht shumë të mëdha dhe ne duhet të jemi të vërtetë.

Por edhe tek pjesa e parë ka problemet e veta, sepse nuk është se po shkëlqen shkolla jonë sa i përket standardeve të mësim-dhënies dhe mësim-nxënies dhe kjo lidhet edhe me një revolucion të brendshëm që po pëson sot shkolla për shkak të një përzierjeje mes teksteve, librit, dijeve që merren në mënyrë digjitale, pra është një revolucion i madh që po ndodh, jo vetëm në shkollën tonë por në gjithë botën”, u shpreh ndër të tjera sociologu Gëzim Tushi

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME SOCIOLOGUN GËZIM TUSHI