Nuredin Dumani shtrohet në urgjencë, transportohet nën masa të rrepta sigurie
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani është shtruar ditën e sotme në urgjencë. Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e tij, ndërsa raportohet se është transportuar nën masa të rrepta sigurie. Raportohet se Dumani ka shfaqur komplikacione në zemër.
Burime bëjnë me dije, se Dumani ka shfaqur probleme serioze me zemrën dhe me frymëmarrjen, teksa dyshohet për takikardi, (përshpejtim i ritmit të zemrës, përtej normales).
Ai është shoqëruar drejt spitalit nga Forcat Speciale të Burgjeve dhe nga RENEA, ndërkohë është njoftuar edhe SPAK, i cili po ndjek nga afër zhvillimet, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet shëndetësore për të monitoruar gjendjen e Dumani.
Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore, teksa spitali është rrethuar nga forca të shumta sigurie. Mbetet për t’u parë në orët në vijim nëse autoritetet do të japin një njoftim zyrtar për këtë zhvillim.
Kush është Nuredin Dumani?
Nuredin Dumani, një nga emrat më të përfolur në botën e krimit, u vu në pranga mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.
Pas burgosjes, Dumani u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe dëshmitë e tij kanë zbuluar disa nga ngjarjet më të rënda kriminale në vendin tonë.
Dëshmitë e tij, të përforcuara edhe nga komunikimet në aplikacionin “Sky Ecc”, kanë bërë që SPAK të godasë disa grupe kriminale në Elbasan, Tiranë, Durrës dhe Shkodër, si dhe të zbardhë një sërë ngjarjesh kriminale.

