Protestuesit duan “kokën” e Vuçiç! Policia serbe përdor gaz lotsjellës në Novi Sad. Presidenti kërcënon

Gaz lotsjellës,  granata çorientuese me dritë verbuese e zhurmë shurdhuese dhe përplasje të dhunshme.

Këto janë pamjet e ndërhyrje së policisë së Serbisë në kampusin universitar në Novi Sad për të shpërndarë protestuesit që kërkonin zgjedhje të parakohshme me shpresën për të rrëzuar presidentin Aleksandër Vuçiç dhe qeverinë e Partisë Përparimtare Serbe.

Mijëra persona ishin mbledhur në kampusin e universitetit shtetëror në një tubim nën moton "Serbi, a mund të dëgjohemi?"

Në shkruhej “Nuk duam bllokada, duam zgjedhje” dhe “Studentët kanë një kërkesë urgjente: Thirrni zgjedhjet”, ndërsa turma thërriste “Vuçiç, ik!”.

Situata përshkallëzoi kur ata iu drejtuan fakultetit të Filozofisë, ku protestuesit hodhën flakadanë  e sende te tjera, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe granata çorientuese për t’i larguar.

Numri i saktë i qytetarëve të plagosur është i panjohur, ndërsa presidenti Vuçiç në një konferencë të jashtëzakonshme pas protestës, tha se të paktën 11 policë mbeten të dëmtuar.

Presidenti serb kërcënoi protestuesit se nuk do të lejojë shkatërrimin e institucioneve të shtetit, ndërsa thirri mbështetësit që të dalin në kundër protesta të Dielën.

“Ne nuk do të lejojmë shkatërrimin e institucioneve të shtetit,” tha Vuçiç para gazetarëve.

Ai përsëriti akuzat shërbimet e sigurisë të huaja si të përfshira pas protestuesve kundër qeverisë, me paralajmërime se  “Serbia është një shtet i fortë dhe përgjegjës.”

Vuçiç dhe partia e tij SNS janë tronditur nga muaj të tërë protestash në mbarë Serbinë, përfshirë bllokimin e universiteteve shtetërore, të nisura pas vdekjes së 16 personave nëntorin e kaluar kur çatia e një stacioni hekurudhor të rinovuar u shemb.

Protestat ishin kryesisht paqësore deri më 13 gusht, kur dhjetëra policë dhe civilë u plagosën në përleshje.

Protestuesit fajësojnë korrupsionin për tragjedinë e stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme në vend.

Studentët, grupet opozitare dhe organizatat kundër korrupsionit e kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, përdorim dhune kundër rivalëve politikë dhe shtypje të lirisë së medias, të cilat presidenti serb dhe njerëzit e tij i mohojnë.