Bujar Kapexhiu: Dhimitër Anagnosti, regjisori më i shquar i kinematografisë shqiptare, një shkollë për të rinjtë

Bota e artit shqiptar i dha të martën lamtumirën e fundit kolosit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

Për më shumë se tri orë në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit u mbajtën homazhe në nderim të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare.

Regjisori i shquar i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, mbylli sytë përgjithmonë, ditën e hënë, pas një sëmundjeje të gjatë.

Regjisori, skenaristi, karikaturisti dhe aktori i mirënjohur shqiptar, Bujar Kapexhiu i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” shprehu vlerësimet e tij më të larta për Anagnostin.

“Është një moment mjaft i mirë për të dhënë për publikun me të vërtetë fjalët më të ndjera të zemrës e shpirtit për njeri me vlera të jashtëzakonshme që iku nga kjo jetë, por duke lënë pas gjëra mjaft të çmuara që i shërbejnë artit dhe kulturës shqiptare.

Dhimitër Anagnosti pa dyshim është regjisori më i shquar i kinematografisë shqiptare i cili i ka dhënë asaj 14 filma, por 14 filma të mrekullueshëm që sot janë një shkollë për të rinjtë që duan ta vazhdojnë këtë karrierë.

Por, njëkohësisht, janë të rëndësishme sepse tregojnë pjesë nga historia e Shqipërisë, ku nga vitet që ai ka jetuar me shumë art dhe me shumë pasion ka treguar mjaft gjëra interesante që edhe sot të gjithë spektatorët kur i shikojnë ikin me mbresa të mrekullueshme dhe e vlerësojnë talentin e këtij regjisori.

Ne që kemi punuar me të padyshim e vlerësojmë dhe dimë të bëjmë diferencat me shumë të tjerë", u shpreh ndër të tjera artisti Bujar Kapexhiu.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ARTISTIN E MADH BUJAR KAPEXHIU NË EMISIONIN “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

 

HOMAZHET

Homazhet nisën në orën 10:00 dhe vazhduan deri në orën 13:00. Ditën e nesërme (3 shtator) arkëmorti me trupin e të ndjerit do të niset në orën 09:00 të mëngjesit drejt Vunoit të tij të dashur, ku do të prehet përjetësisht.

Kineastë, njerëz të letrave, artistë të arteve pamore, akademikë, politikanë e njerëz të thjeshtë, kryen nderimet e fundit ndaj kësaj figure të rëndësishme të artit shqiptar. Të hidhëruar për humbjen e një njeriu të këtyre përmasave, ata ngushëlluan në heshtje bashkëshorten, Rozën dhe vajzat.

Në homazhe mori pjesë Presidenti Bajram Begaj, i cili po ashtu la dhe një mesazh në librin e ngushëllimeve.

Po ashtu, edhe Kryeministri Rama kreu homazhe në hollin e Teatrit të Operas, ku ngushëlloi familjen e të ndjerit dhe më pas la një shënim në librin e homazheve. Pas tij ngushëllimet i shprehu ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe të tjerë politikanë.

Ministri Gonxhja tha për gazetarët se, vërtet ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë dhe artit, por është ndarje që lë pas një thesar, një trashëgimi për të gjithë brezat.

Gjithashtu në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit kryen homazhe ministra si dhe zyrtarë të tjerë të shumtë.

Gjatë homazheve ishin të pranishëm aktorë e bashkëpunëtorë të regjisorit.

“Ne gjithmonë e kemi pasur si shembull në punën tonë. Një njeri i heshtur, shumë serioz, këmbëngulës e me pasion të veçantë. Nuk e di si do të vijnë brezat dhe si do ta kujtojnë, por filmat e tij do të jenë vërtet të paharruar”, u shpreh aktorja Marjeta Ljarja.

Regjisori Gëzim Kame vlerësoi lart kulturën dhe inteligjencën e jashtëzakonshme të Dhimitër Anagnostit. “Me Dhimitrin duhet të mendoheshe mirë kur të flisje”, tha Kame duke vënë theksin tek bagazhi, mprehtësia dhe intelekti i jashtëzakonshëm i Anagnostit.

“Kur ndodhin humbje të tilla, kaq të mëdha si kjo e Taqos, është më mirë të heshtësh sesa të flasësh. Sepse ka aq shumë për të thënë për të sa fjalët mund të zihen me njëra-tjetrën se kush të dalë e para. Unë ndihem i bllokuar për të thënë shumë gjëra të bukura e të dashura që kam pasur me Taqon. Kam pasur një miqësi shumë të gjatë. Është një personalitet i papërsëritshëm dhe humbje shumë e madhe”, u shpreh piktori Gazmend Leka, pas homazheve. Në mesazhin dhënë medieve, Leka e krahasoi Dhimitër Anagnostin me Felinin.

2 SHTATORI, DITË ZIE KOMBËTARE

Këshilli i Ministrave e ka shpallur ditë zie kombëtare datën 2 shtator 2025 (sot), në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.

JETËSHKRIMI 

Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Me një karrierë mbi katër dekada, Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.

Ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke trajtuar tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Shumë prej skenarëve i hartoi vetë, duke dëshmuar një talent të gjithanshëm. Veprat e tij filmike kryesore janë: “Komisari i dritës” (1966), “Duel i heshtur” (1967), “Plagë të vjetra” (1968), “Malet me blerim mbuluar” (1971), “Cuca e maleve” (1974), “Kur hiqen maskat” (1975), “Lulëkuqet mbi mure” (1976), “Monumenti” (1977), “Në shtëpinë tonë” (1979), “Vëllezër dhe shokë” (1982), “Gurët e shtëpisë sime” (1985), “Përrallë nga e kaluara” (1987), “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989) dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, filmi me të cilin fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Për krijimtarinë e tij, Anagnosti u nderua me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.