Homazhet për regjisorin e madh, Gonxhja: Anagnosti la pas thesar e trashëgimi! Vepra e tij do mbahet mend gjithmonë
Në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit po zhvillohen sot homazhet në nderim të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare.
Qytetarë të shumtë, kolegë, miq dhe personalitete nga fusha e artit, kulturës dhe jetës publike po i japin lamtumirën e fundit mjeshtrit të ekranit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, më 1 shtator.
Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në orën 13:00, pas së cilës trupi i tij do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno të Himarës.
Homazhe zhvilloi po ashtu edhe kryeministri Edi Rama, i cili u përkul në nderim të regjisorit të madh para arkëmortit dhe më pas ai do të linte dhe një shënim në librin e homazheve.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja tha se ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit lë pas një thesar dhe trashëgimi të vyer. Ministri theksoi se qëndrojnë pranë familjes së tij për të shprehur përulje dhe mirënjohje për punën e shkëlqyer që la pas.
“Ndarje që lë pas thesar e trashëgimi. Vepra e tij do të mbahet mend gjithmonë. Jemi këtu pranë yllit të tij, Roza Anagnosti, familjes së tij për t’i shprehur këtë përulje dhe mirënjohje të thellë e të lartë.”, tha Gonxhja.
2 SHTATORI, DITË ZIE KOMBËTARE
Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë ditë zie kombëtare datën 2 shtator 2025 (sot), në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.
Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Me një karrierë mbi katër dekada, Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.
Ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke trajtuar tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Shumë prej skenarëve i hartoi vetë, duke dëshmuar një talent të gjithanshëm. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, filmi me të cilin fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Për krijimtarinë e tij, Anagnosti u nderua me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
VIDEO - Ceremonia shtetërore dhe homazhet publike në nder të regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti


