Berisha: Dhimitër Anagnosti, një kolos i gjenisë krijuese artistike që u angazhua për përmbysjen e diktaturës!
Në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit po zhvillohen sot homazhet në nderim të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare.
Qytetarë të shumtë, kolegë, miq dhe personalitete nga fusha e artit, kulturës dhe jetës publike po i japin lamtumirën e fundit mjeshtrit të ekranit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, më 1 shtator.
Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në orën 13:00, pas së cilës trupi i tij do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno të Himarës.
Kryedemokrati Sali Berisha pas homazheve, u shpreh se Dhimitër Anagnosti ishte një kolos i gjenisë krijuese artistike që u angazhua për përmbysjen e diktaturës!
"Sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin, kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellin për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjenisë krijuese artistike të kombit shqiptar. Dhimitër Anagnosti ishte dhe është njëri prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve, shkrimtar më të shquar të vendit.
Lë një trashëgimi në të cilën ai do të jetojë për jetë të jetëve. Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij. Ai, që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij, i angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike.
Në dy legjislatura ishte deputet i PD dhe ministër Kulture, një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit. Ndaj, dhe njëherë unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje për largimin e tij nga jeta", tha Berisha.
2 SHTATORI, DITË ZIE KOMBËTARE
Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë ditë zie kombëtare datën 2 shtator 2025 (sot), në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.
Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Me një karrierë mbi katër dekada, Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.
Ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke trajtuar tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Shumë prej skenarëve i hartoi vetë, duke dëshmuar një talent të gjithanshëm. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, filmi me të cilin fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Për krijimtarinë e tij, Anagnosti u nderua me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
VIDEO - Ceremonia shtetërore dhe homazhet publike në nder të regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti


