Policia e Shtetit, masa për fillimin e vitit të ri shkollor/ Paketa e sigurisë gati për t'u zbatuar

Me nisjen e vitit të ri akademik 2025–2026, Policia e Shtetit është e përgatitur për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla, një iniciativë që ka nisur prej disa vitesh dhe që synon të garantojë një ambient të sigurt për nxënësit në të gjithë vendin.

Lajmi u konfirmua nga Drejtuesi Akil Kalo, nga Departamenti i Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, i cili ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” të moderatores dhe gazetares së Ora News Sonila Musai.

“Policia është gati për datën 8 shtator. Paketa e sigurisë në shkolla do të vihet në zbatim në bashkëpunim me institucionet arsimore, njësitë vendore dhe strukturat e tjera të përfshira në mbarëvajtjen e procesit mësimor” – u shpreh Kalo i cili theksoi se fokusi do të jetë siguria në përgjithësi e nxënësve, parandalimi i ngacmimeve, dhunës në shkollë, si dhe ndërhyrja e shpejtë në rastet problematike etj.