Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, Mevlan Shanaj: Humbje e madhe, kinemaja do jetë e varfër pa të!

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare regjisori i madh, Dhimitër Anagnosti. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije vajza e tij, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjete sociale, e cila ka shkruar se pas një lëngimi të gjatë, iu bind ligjit të jetës. 

“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetes sone! Pas nje lëngimi te gjate ju binde ligjit te jetes! Lamtumirë babush!”, ka shkruar ajo.

Ai do të varroset në Vuno të Himarës, në vendlindjen e tij, ku ka kërkuar që të prehet. Anagnosti ishte një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. 

Aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit. Në një postim në rrjete sociale, ai shkruan se ishte mjeshtër i ndërtimit të karaktereve shqiptare.

Ai shkruan se Shqipëria ka pësuar një humbje të madhe, dhe se kinemaja do të jetë e varfër pa të.  

“Lamtumirë "diktatori i së bukuŕës",  maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar!Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria  sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë  dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era!", ka shkruar ai. 

Kineasti i njohur, Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, i vlerësuar si një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike.

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno të Himarës më 23 janar 1936. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik "VGIK" të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin "Njeriu kurrë nuk vdes", një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion "Shqipëria e re" në 1961, me filmin "Debatik" (1961) e më pas me filmin "Toka jonë" (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra "Gurët dekorativë". Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, "Komisari i dritës" dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin "Dueli i heshtur". 

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze u nderua me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjeti të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin u zgjodh edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. 

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën "Fan Noli", duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme "Nata e trokitjeve në xham". Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit "Gjoleka, djali i Abazit", film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Veprat artistike:

Gjoleka, djali i Abazit (2006)

Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)

Përrallë nga e kaluara (1987)

Gurët e shtëpisë sime (1985)

Kujtime nga Gjirokastra (1983)

Vëllezër dhe shokë (1982)

Në shtëpinë tonë (1979)

Monumenti (1977)

Lulëkuqet mbi mure (1976)

Kur hiqen maskat (1975)

Cuca e maleve (1974)

Përjetësi (1974)

Motive nga dita e diel (1973)

Malet me blerim mbuluar (1971)

Parafabrikatet (1970)

Plagë të vjetra (1968)

Duel i heshtur (1967)

Komisari i dritës (1966)

Njeriu kurrë nuk vdes (1961)