Shkodra: Vendimi arbitrar i kryeparlamentarit solli ngërç të ri në Kuvendin e Kosovës

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, politologia Makbule Shkodra komentoi zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe pasojat e moszgjedhjes së nënkryetarit të komunitetit serb.

"Është e vërtetë. Sot përveç takimit që ishte i rëndësishëm me kryeparlamentarin Dimal Basha dhe Presidenten Vjosa Osmani, ishte thirrur edhe takimi i kryesisë së Kuvendit, i cili dështoi të mbahet për shkak të kuorumit që mungonte për shkak se partitë e mëdha nuk morën pjesë.

Në takimin me Presidenten, ajo çka deklaroi presidentja pas këtij takimi, tha se ajo do të angazhoj ekipin e vetë ligjor për të parë se si qëndron çështja. 

Kryeparlamentari i kishte raportuar asaj se është konstituuar Kuvendi dhe ne të gjithë që i përcjellim ngjarjet politike e dimë se në bazë të Kushtetutës dhe të rregullores por dhe në bazë të praktikave parlamentare. Gjithë ata që nuk e kuptojnë Kushtetutën dhe rregulloren e kanë më të thjeshtë ti shikojnë praktikat parlamentare në të cilat nënkryetari i komunitetit jo serb dhe i komunitetit serb votohen në pako.

Këtë radhë kryeparlamentari në mënyrë arbitrare vendosi që ti votojë në mënyrë të ndarë dhe kur erdhi radha për tu votuar nënkryetari i komunitetit serb dështoi. Kemi hyrë në një ngërç të ri, i cili do ti shkaktojë Kosovës dëme edhe më të mëdha nga ato që kemi pasur deri më tani, sepse në sytë e botës do të shihet në një farë mënyre se shqiptarët po i pengojnë serbët tv jenë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës", u shpreh Shkodra.