Osmani uron fillimin e vitit të ri shkollor: Kurajo, besim dhe respekt për njëri-tjetrin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit e Kosovës për fillimin e vitit të ri shkollor. Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se 1 Shtatori është ditë që sjell frymën e një fillimi të ri.
“1 Shtatori gjithmonë sjell me vete frymën e një fillimi të ri ku secili nxënës, mësues dhe prind ka mundësinë ta shkruajë histori të suksesit. Le të hyjmë në këtë vit shkollor me kurajo, me besim dhe respekt për njëri-tjetrin. Nxënësit nuk duhet ndaluar së pyeturi dhe së kërkuari, kurse mësimdhënësit nuk duhet të kursejnë angazhimin. Urime fillimi i vitit të ri shkollor! Qoftë një vit i mbushur me dije, gëzim dhe suksese për të gjithë”, ka shkruar ajo.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se kanë filluar pagesat e para ku janë ekzekutuar 9.634.000,00 euro për 120.425 aplikues. Sipas MAShTI-t, janë pranuar gjithsej 183.226 mijë aplikime për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore.
MASHTI ka njoftuar se procesi i aplikimit mbetet i hapur, me qëllim që të sigurohet përfshirja e të gjithë nxënësve, në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet pa tekste shkollore dhe materiale mësimore për vitin shkollor në vijim.
