Papa: Lutemi që t'i jepet fund pandemisë së armëve që po infekton botën!
Papa Leone XIV bëri sot thirrje për t'i dhënë fund "pandemisë së armëve", duke shprehur keqardhjen e tij për fëmijët e panumërt që vriten dhe plagosen në të gjithë botën. Thirrja e Papës erdhi gjatë lutjes javore në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.
"Në lutjet tona përfshijmë fëmijët e panumërt që vriten dhe plagosen çdo ditë në mbarë botën. Le t'i lutemi Zotit që t'i japë fund pandemisë së armëve, të mëdha e të vogla, që infekton botën tonë", tha ai.
Papa më tej bëri thirrje njerëzit të mos jenë indiferentë përballë luftës në Ukrainë teksa përsëriti thirrjen e tij këmbëngulëse për një armëpushim të menjëhershëm dhe një angazhim serioz për dialog.
“Është koha që ata që janë përgjegjës të heqin dorë nga logjika e armëve dhe të angazhohen në rrugën e negociatave dhe paqes, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.
Papa Leone gjithashtu iu referua sulmit të armatosur që ndodhi të mërkurën e kaluar gjatë një shërbese në një shkollë në Minesota ku u vranë dy fëmijë.
