"130 mijë të zhdukur" - Protesta masive në Meksikë! Familjarët kërkojnë drejtësi, akuzojnë kartelet, por edhe autoritetet

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e qyteteve kryesore të Meksikës për të kërkuar drejtësi për mbi 130 mijë persona të zhdukur. Protestuesit akuzojnë kartelet e drogës, krimin e organizuar dhe forcat e sigurisë për këtë krizë humanitare.

Meksika është përfshirë nga protesta të mëdha, ku mijëra njerëz, mes tyre familjarë të personave të zhdukur dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, kërkuan më shumë veprim nga autoritetet për t’i dhënë fund fenomenit dramatik të zhdukjeve të detyruara.

Demonstrata u mbajtën në kryeqytetin Meksiko, Guadalajara, Córdoba dhe në shumë qytete të tjera, duke reflektuar përmasat kombëtare të problemit.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 130 mijë njerëz rezultojnë të zhdukur në Meksikë, shumica pas vitit 2007 kur ish-presidenti Felipe Calderón nisi “luftën kundër drogës”. Shumë prej tyre janë rekrutuar me forcë nga kartelët ose janë vrarë për shkak të rezistencës, ndërsa organizatat kriminale dhe vetë forcat e sigurisë akuzohen për përfshirje në këto krime.

Pamjet nga protestat treguan familjarë që mbanin pankarta me fytyrat e të dashurve të zhdukur, duke thirrur për drejtësi dhe duke i bërë apel presidentes Claudia Sheinbaum të intensifikojë kërkimet. Në Meksiko Siti, marshimi bllokoi bulevardet kryesore të kryeqytetit, duke treguar shkallën e pakënaqësisë dhe dhimbjes kolektive.

Shumë familje janë organizuar në grupe kërkimi të quajtura “buscadores”, që shëtisin shkretëtirat dhe fshatrat, duke ndjekur informacione mbi vendndodhjen e varreve masive.

Shpesh këto të dhëna vijnë nga vetë kartelët, por ky aktivizëm përbën rrezik të madh. Kohët e fundit, disa anëtarë të një grupi kërkimi që zbuloi një “narco-ranch” në Jalisco u zhdukën vetë, ndërsa autoritetet mohuan ekzistencën e një krematoriumi në atë zonë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar situatën si “një tragjedi njerëzore të përmasave të jashtëzakonshme”, duke e krahasuar me zhdukjet masive në Amerikën Latine gjatë diktaturave ushtarake.

Shifrat e Meksikës tashmë kanë tejkaluar edhe bilancet më të zeza të Guatemalës dhe Argjentinës në periudhat e tyre më të errëta.

Ky presion publik i shton urgjencën nevojës për reforma dhe masa konkrete, pasi mijëra familje vijojnë të jetojnë me dhimbjen dhe pasigurinë e mosdijenisë për fatin e të afërmve të tyre.