Newscastle zyrtarizon Woltemade
Newcastle e ka fituar garën me Bayern Munich për sulmuesin gjerman Nick Woltemade.
Newcastle ka thyer rekordin e transferimeve në klub pas blerjes së sulmuesit Nick Woltemade nga Stuttgarti.
Klubi anglez pagoi 85 milionë € për kartonin e gjermanit, i cili ka luajtur dy ndeshje me kombëtaren, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 73 milionë eurosh që u paguan për Alexander Isak tre vjet më parë.
Woltemade kreu vizitat mjekësore të premten dhe akordi u zyrtarizua një ditë më vonë. Lojtari është entuziast për eksperiencën e tij të re në Premier League.
“Jam vërtet i lumtur që jam në këtë klub të mrekullueshëm. Është një hap i madh në jetën time të largohem nga Gjermania, por të gjithë më kanë pritur shumë mirë, aq sa tashmë ndihem si në shtëpi. Kam një ndjesi vërtet të mirë nga biseda me trajnerin se ky është vendi i duhur për mua për të arritur nivelin tim më të lartë. E di që atmosfera është e çmendur në stadium. Jam vërtet i emocionuar të luaj dhe të nis të shënoj gola këtu.”
Woltemade iu bashkua Stuttgartit si lojtar i lirë nga Werder Bremeni sezonin e kaluar, duke shënuar 17 gola në 33 ndeshje.
Më pas, sulmuesi e mbylli Kampionatin Evropian U-21 si golashënuesi më i mirë, me 6 gola të realizuar.
Bayern Munich kishte interes për futbollistin, por Newcastle ia doli që ta sillte atë në “St. James’ Park”.
