Capello "skanon" shortin e Championsit: Skuadra italiane mund të buzëqeshin

Ish-trajneri i njohur italian Fabio Capello ka komentuar për La Gazzetta dello Sport shortin e Champions League, duke e cilësuar pozitiv për skuadrat italiane.

“Inter, Napoli, Juventus dhe Atalanta, mund të buzëqeshni – sepse mund të kishte shkuar shumë më keq. Shorti i Monte Carlos ishte në shenjën e ekuilibrit dhe kjo Champions është e arritshme për ekipet tona. Madje, mund të kemi katër skuadra italiane në fazën e 1/8-ave,” tha Capello.

Për Interin, Capello theksoi se grupi është i vështirë, por i menaxhueshëm:

“Janë dy angleze shumë të forta, Liverpool i Salah dhe Arsenali i Gyokeres, por Interi ka një avantazh të madh. Dhe kujdes, sepse ekipet e Premier-it shpesh nuk japin maksimumin kur luajnë jashtë stadiumeve të tyre. Chivu dhe skuadra e tij duhet të mendojnë për të përsëritur rrugëtimin e sezonit të kaluar dhe të synojnë kualifikimin si një nga skuadrat e para të grupit.”

Napoli, sipas Capellos, ka shanse të mëdha për të kaluar në fazën e eliminimeve direkte:

“Ashtu si Interi, edhe Napoli mund të sigurojë kualifikimin pa pasur nevojë për playoff. Grupi nuk është i lehtë, me sfida të forta dhe të bukura – si përballja mes De Bruyne dhe Manchester City-t, apo rikthimi i Contes kundër Chelseat me të cilin fitoi një Premier League – por ky është një ekip i ndërtuar për të konkurruar si në Serie A, ashtu edhe në Champions. Antonio ka një skuadër të thellë dhe cilësore për të menaxhuar të dy frontet me sukses.”