Kaos në CDC pas refuzimit të Susan Monarez për të dhënë dorëheqjen
Avokatët e saj: “U shënjestrua sepse mbrojti publikun duke mos miratuar urdhra të pabazuar shkencërisht”. Agjencia më e lartë e shëndetit publik në SHBA u zhyt të mërkurën në kaos, pasi administrata Trump tentoi të shkarkojë drejtoreshën e saj, Susan Monarez, e cila ishte betuar në detyrë më pak se një muaj më parë. Avokatët e Monarez thanë se ajo nuk do të jepte dorëheqjen dhe se ishte “shënjestruar” për qëndrimin e saj pro-shkencës.
Në një deklaratë të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale (HHS) u tha se: “Susan Monarez nuk është më drejtoreshë e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). E falënderojmë për shërbimin e saj të përkushtuar ndaj popullit amerikan.” Por avokatët e saj reaguan menjëherë, duke theksuar se Monarez “as nuk ka dhënë dorëheqjen, as nuk ka marrë një njoftim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë për shkarkimin”.
Sipas raportimeve të Washington Post dhe New York Times, Monarez ra në konflikt me sekretarin e Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., pasi refuzoi të mbështeste ndryshime drastike në politikat e vaksinimit në SHBA.
Avokatët e saj, Mark Zaid dhe Abbe David Lowell, deklaruan: “Fillimisht u sulmuan komitetet këshillimore të pavarura dhe ekspertët karriere. Më pas, shkarkimi i shkencëtarëve me përvojë. Tani, Sekretari Kennedy dhe HHS po përdorin shëndetin publik për përfitime politike, duke vënë në rrezik miliona amerikanë. Kur Susan Monarez refuzoi të vuloste direktiva të rrezikshme dhe jo shkencore, ajo zgjodhi të mbrojë publikun dhe jo agjendat politike. Për këtë, ajo u shënjestrua.”
Largimi i Monarez shkaktoi një valë dorëheqjesh në agjenci. Tre drejtues të tjerë të CDC dhanë dorëheqjen publikisht.
Më i bujshmi ishte Dr. Demetre Daskalakis, drejtor i Qendrës Kombëtare për Imunizim dhe Sëmundje Respiratore, i cili shkroi: “Nuk mund të vazhdoj më këtë rol për shkak të politizimit të shëndetit publik. Ju jeni ekipi më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë, por ky errësim mbi profesionin tonë nuk më lejon të qëndroj.”
E njëjta shqetësim u shpreh nga Dr. Deb Houry, shefe mjekësore e CDC: “Për të mirën e kombit dhe botës, shkenca në CDC nuk duhet censuruar kurrë apo të ndalet për arsye politike.”
Gjithashtu, dorëheqjen e dha edhe Daniel Jernigan, drejtues i Qendrës për Sëmundjet Infektive Zoonotike.
Vetëm disa orë para shkarkimit të Monarez, Kennedy përshëndeti vendimin e FDA-së për të revokuar autorizimin e emergjencës për vaksinat kundër Covid-19 të Pfizer, Moderna dhe Novavax – vaksina që sipas ekspertëve të CDC kanë shpëtuar 3.2 milionë jetë në SHBA. Tashmë, vaksinat lejohen vetëm për personat mbi 65 vjeç ose ata me sëmundje kronike, dhe përdorimi i tyre do të varet nga një panel këshillimor i riformuar prej Kennedy-t, ku janë përfshirë edhe kundërshtarë të vaksinave.
Monarez, 50 vjeç, ishte drejtoresha e 21-të e CDC-së dhe e para që kaloi përmes konfirmimit të Senatit pas ligjit të vitit 2023. Me betimin e saj më 31 korrik, ajo u bë drejtuesja me mandatin më të shkurtër në historinë 79-vjeçare të agjencisë.
Ndërkohë, ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë për pasojat. Dr. Craig Spencer, profesor në Universitetin Brown, shkroi: “Ajo që po ndodh në CDC duhet të frikësojë çdo amerikan. Nuk dihet nëse drejtoresha e sapo-konfirmuar është shkarkuar apo jo. Kaos total. Profesionistë me karrierë kanë dhënë dorëheqjen sonte – kjo është një alarm i madh.”
Dr. Ashish Jha, ish-koordinatori për pandeminë në administratën Biden, e quajti situatën: “Shkatërrim total i udhëheqjes në CDC. Drejtoresha është jashtë, shumica e drejtuesve kryesorë kanë dhënë dorëheqjen. Gjithçka është rrënuar, për shkak të udhëheqjes së Kennedy-t.”/ Monitor
