U shkarkua nga Rezerva Federale, Lisa Cook ngre padi kundër presidentit Trump
Ish-anëtarja e Bordit të Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara, Lisa Cook, ka paraqitur një padi në përpjekje për të ruajtur postin e saj në institucion, pasi presidenti Donald Trump njoftoi largimin e saj nga detyra.
Padia e Cook, e paraqitur të enjten, i kërkon gjykatës që të shpallë të paligjshëm vendimin e presidentit Trump për shkarkimin e saj.
Ajo gjithashtu kërkon nga gjykata të deklarojë se një akuzë e pabazë nuk mund të përdoret si arsye ligjore për largim nga një detyrë publike, sipas ligjit federal.
“Është e qartë se akuzat janë thjesht një pretekst, në përpjekje të presidentit Trump për ta larguar atë dhe për të avancuar objektivat e tij politike, që synojnë të minojnë pavarësinë e Rezervës Federale,” shkruajnë avokatët e Cook në padinë e dorëzuar.
Çështja nuk i është caktuar ende ndonjë gjykatësi dhe Lisa Cook nuk është akuzuar zyrtarisht për asgjë.
Sipas raportimit të CNN, kjo padi mund të çelë rrugën për një përballje të fortë ligjore, me ndikim të madh në pavarësinë e Rezervës Federale dhe fuqinë e Shtëpisë së Bardhë, në një kohë kur Trump po përpiqet të konsolidojë kontrollin e tij mbi sektorë të qeverisë që tradicionalisht kanë qenë të paprekur nga ndërhyrjet politike.
Çështja paraqet ndërlikime të konsiderueshme ligjore, sipas CNN, për shkak të bindjes së Trump se ai mund ta shkarkojë Cook pa prova të qarta dhe pa përfunduar ndonjë hetim.
Ligji që rregullon funksionimin e Rezervës Federale nuk e përcakton qartë se çfarë përbën një “arsye të vlefshme” për largimin e anëtarëve të bordit, dhe as nuk përshkruan një procedurë të qartë për këtë.
Asnjë president më parë nuk ka shkarkuar ndonjë anëtar të bordit të Fed-it, dhe ligji përkatës nuk është testuar kurrë më parë në gjykata.
Ka shumë gjasa që çështja të përfundojë në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, ku shumica konservatore ka mbështetur, ndonëse me rezerva, të drejtën e Trump për të shkarkuar zyrtarë të agjencive të tjera.
Megjithatë, kohët e fundit është lënë të kuptohet se Rezerva Federale mund të jetë një përjashtim i rrallë nga ky rregull, duke qenë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë.
Vetëm disa ditë më parë, të hënën, Trump publikoi në rrjetet sociale një letër drejtuar Lisa Cook, në të cilën ai deklaronte se kishte arsye të mjaftueshme për ta larguar nga detyra.
Në letrën e tij përmendeshin akuza për mashtrim lidhur me një kredi hipotekore, të cilat për herë të parë u publikuan nga drejtori i Agjencisë Federale të Financimit të Banesave, Bill Pulte. Këto kredi ishin marrë një vit përpara se Cook të emërohej në Fed nga presidenti Joe Biden.
Akuza për mashtrim lidhet me dy prona të cilat pretendohet se ajo i ka deklaruar të dyja si rezidencë të përhershme, çka mund të përbëjë shkelje në rast të konstatimit të qëllimit mashtrues.
Administrata Trump ka bërë të ditur se po heton edhe figura të tjera politike, që mund të jenë kundërshtarë të presidentit, për raste të ngjashme të supozuara mashtrimi lidhur me kredi, përfshirë Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, dhe senatorin nga Kalifornia, Adam Schiff.
