Kriza politike në Francë, Bayrou mbron planin buxhetor: Nuk është kursim, por pezullim i shpenzimeve shtesë

Kryeministri i Francës, François Bayrou, gjatë një fjalimi të mbajtur të enjten në takimin vjetor të biznesit francez (MEDEF), paralajmëroi për seriozitetin e situatës së financave publike të vendit, duke theksuar nivelin e lartë të borxhit dhe detyrimet në rritje ndaj brezave të ardhshëm.

Ai mbrojti gjithashtu planin e qeverisë për buxhetin, i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe përfshin shkurtime të shpenzimeve publike.

Bayrou deklaroi se Franca ndodhet në një “pikë kritike”, ku është e nevojshme një ndërgjegjësim i menjëhershëm nga qytetarët për situatën financiare. Ai paralajmëroi për një “rrezik mbytjeje”, pasi borxhi publik ka arritur në 3,35 trilionë euro, ndërsa vetëm kostoja e interesave do të kapë shifrën e 67 miliardë eurove këtë vit dhe 75 miliardë eurove në vitin 2026.

Në një ton të fortë, kryeministri theksoi se barra e borxhit bie gjithnjë e më shumë mbi të rinjtë. “A e pranojmë që të rinjtë tanë të bëhen skllevër, të detyruar të shlyejnë borxhet që kanë marrë brezat e mëparshëm?”, deklaroi ai.

Duke iu referuar masave të planifikuara, Bayrou mbrojti planin e financave, i cili përfshin një kursim prej 44 miliardë eurosh në kuadër të buxhetit për vitin 2026. Ai e përshkroi këtë paketë si “të rëndësishme, por të realizueshme”, duke mohuar se bëhet fjalë për masa shtrënguese (austeritet).

“Nuk është një politikë shtrënguese, por një pezullim i shpenzimeve shtesë, në mënyrë që vendi të kthehet në rrugën e stabilitetit,” u shpreh ai.

Një nga propozimet më të debatueshme të tij ishte heqja e dy ditëve të pushimit zyrtar në vit. Bayrou e cilësoi këtë si një “vendim logjik”, duke theksuar se muaji maj është më pak produktivi në vit, menjëherë pas muajve të verës. Masa ka ngjallur reagime, por kryeministri këmbënguli se është e nevojshme për të forcuar ekonominë.