Emma rrëfen jetën pranë Bruce Willis! Bashkëshortja e aktorit tregon sfidat me sëmundjen e pashërueshme
Emma Heming Willis ka rrëfyer për herë të parë sfidën e jetës pranë bashkëshortit të saj, yllit të Hollywood-it Bruce Willis, i cili vuan nga demenca frontotemporale. Ajo tregon dhimbjen, forcën dhe mirënjohjen për çdo moment pranë tij.
Emma Heming Willis ka thyer heshtjen duke ndarë përjetimet e saj të vështira në jetën pranë bashkëshortit, aktorit të njohur Bruce Willis, i cili prej disa vitesh po përballet me demencën frontotemporale.
Për yllin e Hollywood-it, dikur i adhuruar në mbarë botën për rolin e tij legjendar si John McClane në serinë “Die Hard”, realiteti sot është krejt tjetër: përballja me një sëmundje të pashërueshme që i ka ndryshuar jetën përgjithmonë.
Willis, i cili ndërtoi një karrierë të shkëlqyer në fund të viteve ’80 dhe u bë ikonë e kinemasë aksion, u tërhoq nga jeta publike në vitin 2022 pasi fillimisht iu diagnostikua me afazi – një çrregullim që prek aftësinë e të folurit dhe kuptimit të gjuhës.
Vetëm një vit më pas, familja e tij mori lajmin edhe më të rëndë: diagnozën e demencës frontotemporale.

Në një intervistë për ABC, Emma, me të cilën aktori është i martuar prej 16 vitesh dhe kanë dy vajza së bashku, kujtoi momentin kur dëgjoi për herë të parë diagnozën.
“Isha e tmerruar dhe e vetmja gjë që mbaj mend është se e dëgjova dhe pastaj nuk dëgjova asgjë tjetër,” tha ajo me emocione të forta.
Sipas saj, Bruce ruan ende forcën fizike, por sëmundja ka prekur gjuhën dhe personalitetin e tij.
Ajo beson se ai e njeh ende, sepse fytyra i ndriçon sa herë që janë bashkë, duke ruajtur një marrëdhënie të ngrohtë me vajzat e tyre.

Emma tregoi se shenjat e para ishin tërheqja nga komunikimi, mungesa e interesit dhe hutimi gjatë punës, gjë që e alarmoi.
Më pas, me një vendim të dhimbshëm, ajo vendosi ta zhvendosë aktorin në një qendër të specializuar për kujdes të plotë.
“Ditët e para ishin të padurueshme. Ndihesha e pafuqishme, sikur po humbisja jetën që kishim ndërtuar, ndërkohë që rrisja dy vajzat tona të vogla,” rrëfeu ajo, duke shtuar se sot ka mësuar ta vlerësojë çdo moment me të.

Përveç dy vajzave të vogla me Emma-n, Bruce Willis është edhe baba i tre vajzave nga martesa e parë me Demi Moore: Rumer (37 vjeçe), Scout LaRue (34 vjeçe) dhe Tallulah Belle (31 vjeçe), të cilat qëndrojnë bashkë pranë tij në këtë betejë.

