Rusia tërhiqet nga Konventa Evropiane Kundër Torturës

Rusia ka njoftuar se do të tërhiqet nga Konventa Evropiane kundër Torturës, një marrëveshje kyçe për të drejtat e njeriut. Lajmi, siç shkruajnë mediat e huaja, u bë i ditur pas një dekreti të kryeministrit Mikhail Mishustin, firmosur më 23 gusht dhe që pritet të miratohet nga Presidenti Vladimir Putin.

Vendimi vjen pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës në mars 2022 dhe refuzimit për bashkëpunim me Komitetin për Parandalimin e Torturës që nga fundi i vitit 2023-it.

Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se tërheqja nga kjo Konventë mund të përkeqësojë kushtet në burgje dhe të heqë mbrojtjen formale për të burgosurit, përfshirë ata ukrainas.

Ky është një hap tjetër që tregon izolimin ndërkombëtar të Rusisë dhe vendosmërinë e saj për të mos u përfshirë në mekanizmat ndërkombëtarë të mbikëqyrjes së të drejtave të njeriut.

Konventa Evropiane kundër Torturës (European Convention for the Prevention of Torture and Inhuman or Degrading Treatment or Punishment) është një marrëveshje ndërkombëtare e hartuar nga Këshilli i Evropës për të mbrojtur individët nga tortura dhe trajtimi degradues në vendet anëtare.