Rusët indiferentë ndaj luftës, preferojnë të argëtohen e mos të mendojnë për konfliktin

Të rinj që qeshin teksa luajnë basketboll në hapësirat me gjelbërim të Moskës, çifte që relaksohen me një lojë shahu në tavolinat të cilat ndodhen përballë Teatrit Bolshoi, disa shpenzojnë para në kafenetë VIP të qytetit apo të tjerë që ekspozojnë makinat e shtrenjta në rrugë.

Kjo është panorama që ofrohet gjatë ditëve të festivalit “Vera në Moskë”. Qytetarët rusë duken të painteresuar për luftën në Ukrainë. Kërkojnë të qëndrojnë në normalitetin e tyre.

“Unë jam nga Kursku. Të gjitha këto ngjarje më kanë prekur mua. Në një moment jam ndjerë i shqetësuar, por pastaj e kuptova se unë kam në dorë të ndryshoj vetëm situatën në familjen time, jo për të gjithë botën. Përpiqem të përqendrohem në çështjet e mia dhe të mos mendoj për të tjerat. Thjesht jetoj jetën time. Gjithçka është mirë për sa kohë familja ime është mirë dhe unë jam gjallë.”

Moska është kthyer në një vend argëtimi dhe relaksi ku njerëzit shijojnë jetën e tyre.

“Në këndvështrimin tim, unë mendoj se ne kemi disa vite të bombarduar nga informacioni rreth luftës. Truri ynë automatikisht ka aktivizuar një lloj mbrojtjeje. Në një moment ndalon së marri çdo lajm personalisht, sepse nëse nuk e bën, mund të çmendesh. Kështu që thjesht përpiqemi të bëjmë jetën tonë.”

“Ndjejmë shqetësim, por përpiqemi të jetojmë në harmoni me veten. Për shembull, dal për drekë ose bëj një shëtitje për të rregulluar humorin. Mendoj se të gjithë ndihen të shqetësuar në një farë mënyre.”

“Unë jam mirë. Nuk ndjej asnjë ankth. Po, lexoj. Por kjo nuk ndikon në nivelin tim të ankthit.” Rrugët dhe bulevardet më të njohura janë dekoruar me lule.

Gjithashtu janë improvizuar mini fusha sportive, ambiente për performanca teatrale dhe muzikore të programuara. Megjithatë, është e pamundur të qëndrojnë totalisht indiferentë ndaj asaj se çfarë po ndodh në Ukrainë.

Në edicionet e mbrëmjes jepen përditësime ditore nga fusha e betejës dhe në emisione diskutohet për gjeopolitikën dhe luftën. Postera gjigantë me portretet e ushtarakëve të konsideruar heronj shfaqen në billboarde, së bashku me thirrjet që banorët t’i bashkohen luftës.