Ujdia e drejtësisë me krimin: Trifoni i “Bana King”, mbreti i Kokainës i paprekshëm
Paprekshmëria e trafikantit Trifon Murataj ka krijuar një precedent të rrezikshëm: për mbi një dekadë, ai ka operuar lirshëm, pavarësisht pesë rasteve të evidentuara trafikimi kokainë dhe raportimeve ndërkombëtare.
Për herë të parë, emri i tij si trafikant kokainë u përmend më 30 dhjetor 2021, kur në magazinat e kompanisë “Zico” (Bana King) u kapën 119 kg kokainë. Ai nuk u arrestua, përkundrazi jetonte lirshëm, drekonte e darkonte me zyrtarë të lartë policie dhe prokurorë, ndërsa nipi dhe shoferi i tij u përdorën për fasadë dhe më pas u liruan.
Në 17 korrik 2022, nga konteineri i “Bana King” u zhdukën 50 arka me afro 1.5 ton kokainë; në 4 nëntor 2022, kapeshin 35.5 kg; në 8 dhjetor 2023, 1 ton u lejua të dilte pa kontroll. Megjithatë, Murataj nuk u arrestua asnjëherë dhe aktiviteti i tij nuk u bllokua.
Historia e tij e hershme tregon dështimin e sistemit: që nga nëntori 2014, kur Policia e Ekuadorit raportoi 33 kg kokainë në kontenierin e kompanisë, dhe deri në qershor 2018, kur DEA njoftoi trafikun masiv të kokainës në bashkëpunim me Arben Isufin, Murataj mbeti i paprekshëm.
11 vjet paprekshmëri, pesë raste trafikimi dhe asnjë arrest. “Bana King” nuk është vetëm një kompani transporti; është simboli i një drejtësie që hesht, ndërsa krimi lulëzon. Publiku shqiptar meriton përgjigje, por Trifon Murataj vazhdon të jetë i pakapshëm. /Marrë nga "Pamfleti"

