ARMATOSJA E SERBISË! Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë: Rrezik për Kosovën!

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, paralajmëron se armatosja e Serbisë përbën kërcënim serioz për Kosovën. Ai thekson se roli i KFOR-it mbetet vendimtar për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend. Vrajolli ngre shqetësime edhe për rrezikun nga grupet terroriste dhe individët ultra-nacionalistë në rajon.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë Mentor Vrajolli, tha se armatosja e Serbisë duhet parë si një kërcënim serioz për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it për sigurinë e Kosovës.

Në intervistë për Ekonomia Online, Vrajolli tha se Serbia e arsyeton armatosjen si shtet neutral, por në realitet qëllimi kryesor është ndikimi ndaj Kosovës, vend i cili ende nuk ka përparuar në integrimet euroatlantike.

Ai shpreh pikëpamjen se disa nga armatimet mund të jenë të orientuara edhe për konsum të brendshëm dhe qëndrimin e pushtetit ndaj protestave qytetare, duke vlerësuar se politika e brendshme e Serbisë mund të ndikojë në këtë forcim të kapaciteteve.

Vrajolli paralajmëroi rrezikun nga grupet terroriste në rajon, duke përmendur sulmin në Banjskë, ku disa pjesëmarrës ende ndodhen të lirë në territorin e Serbisë dhe mund të rikthehen për veprime në Kosovë, madje edhe me përforcime nga individë me bindje ultranacionaliste.

Vrajolli vuri në dukje rëndësinë e performancës së KFOR-it dhe shprehu shqetësime për kontigjente të caktuara në pjesën veriore, të cilat, sipas tij, mund të mos jenë plotësisht të koordinuara me komandën e NATO-s.

Ai vlerësoi se institucionet e Kosovës duhet të jenë aktive për të monitoruar situatën dhe për të siguruar praninë e forcave në vendet kyçe.