Vendet e sanksionuara në Perëndim, "mike" në Serbi
Po atë ditë, kreu i shtetit serb bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, për të cilin BE-ja konsideron se nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike për shkak të parregullsive zgjedhore.
Vuçiq, megjithatë, e quajti atë “mik të madh” të Serbisë.
BE-ja nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me njoftimin për takimin e zyrtarëve serbë dhe rusë, si dhe për bisedën telefonike të Vuçiqit me Maduron.
Pozicioni që Serbia e Vuçiqit ka në hapësirën ndërkombëtare mund të kuptohet nëse analizohet nga perspektiva e parimeve kyç të politikës së jashtme të Rusisë dhe Kinës, të cilat përmblidhen me frazën: një botë multipolare.
Kështu vlerëson Eric Gordy, profesor i sociologjisë politike në Departamentin për Studime Sllave dhe të Evropës Lindore të Universitetit të Londrës.
“Kjo do të thotë se janë më të orientuar në forcimin e fuqive rajonale, sesa atyre globale. Synimi është të hollohet fuqia e shteteve më të forta ekonomike si SHBA-ja dhe shtetet evropiane.
Këtë e kanë promovuar edhe Vuçiqi dhe partitë e djathta në Serbi, kur flasin për veten si përkrahës të sovranitetit”, vlerëson Gordi./REL
