Lufta në Ukrainë, Zelensky takohet me të dërguarin e Trump në Kiev!
Për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus, tre vjet e gjysmë më parë, bashkia vendosi të rindezë ndriçimin publik dhe dekorimet për të festuar "ditën e flamurit", e cila përkon me atë lokale të qytetit dhe sot shtrihet edhe në ditën vjetore të pavarësisë kombëtare.
Drita, këngë, valle, kostume tradicionale, kudo flamuj me Tridentin (simboli ukrainas) dhe plot të rinj. Turma dhe buzëqeshje kundër frikës së bombave: këtu sulmet ruse janë të përditshme me viktima dhe dëme.
Dhe rrugë të mbyllura për qarkullimin, kësaj here jo për emergjencë, por për gëzimin e festës: është gjithashtu një mënyrë për të harruar, për të kërkuar së bashku një çast pushimi nga ankthi i së ardhmes. "Ukrainë, Ukrainë. Putin ik në…", thërret populli, ndonëse e di që dronët rusë mund t’i shohin dhe t’i godasin në çdo moment.
Misioni i Kellogg
Kjo ndodhte mbrëmë në Kharkiv, qyteti i dytë i vendit, që forcat ushtarake ruse e kishin pushtuar përkohësisht në mars 2022 dhe që më pas u çlirua plotësisht nga kërcënimi i artilerisë në tetor, kur rusët u dëbuan përtej vijës së kufirit ndërkombëtar.
Flamuj edhe në Kiev dhe në të gjitha zonat urbane. Vendi feston aftësinë e tij për të rezistuar, ndërsa Zelensky u përsërit amerikanëve, europianëve dhe mbarë botës gatishmërinë e tij "të plotë për të negociuar me Putinin", por gjithashtu dëshiron të riafirmojë "opozitën e tij të plotë ndaj çdo dorëzimi mbi sovranitetin e territorit tonë".
Që dje në Kiev ndodhet edhe negociatori amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, sot do të takohen sërish.
"Nuk do t’ua lëmë tokën tonë pushtuesve. Ky flamur është objektivi dhe ëndrra e shumë bashkëqytetarëve tanë në territoret e pushtuara përkohësisht dhe do t’i kujtojmë gjithmonë heronjtë tanë në periudha të ndryshme, që kanë luftuar për lirinë me flamurin tonë në dorë", thotë Zelensky.
Pas samiteve
Presidenti ndihet disi i forcuar nga solidariteti i treguar sidomos nga europianët pas samiteve të Anchorage dhe Washington. Trump dy ditë më parë madje kritikoi ish-presidentin Joe Biden, i cili "nuk kishte lejuar që ukrainasit të sulmonin territorin rus". Në çdo rast, ukrainasit tashmë po lëshojnë dronët e tyre kundër rafinerive ruse.
Mbrëmë nga Moska vinte lajmi se autoritetet po mbyllnin disa aeroporte civile nga frika e sulmeve ajrore. Në mbrëmjen e djeshme dronë të tjerë ukrainas u rrëzuan ndërsa ishin në rrugë për në Moskë dhe Shën Petersburg. Nga ana e tyre, rusët pretenduan marrjen nën kontroll të dy fshatrave të tjerë në Donetsk.
Roli i Pekinit
Ndërkohë shtypi gjerman shkruan se nga Pekini vjen gatishmëria për të dërguar trupa paqeruajtëse nëse do të arrihet në një negociatë, por vetëm në kuadrin e një mandati të OKB-së. Priten verifikime: paqja mbetet ende larg. /Corriere della sera

