Një valë e re entuziazmi nga investitorët e thjeshtë po ndryshon rrënjësisht tregjet financiare

Fajin e kanë aplikacionet dhe investitorët amatorë (të quajtur “DORKs”), jo ndihmat direkte financiare, shkruan The Economist

Një valë e re tregtie nga investitorët e vegjël po riformëson tregjet financiare. Fajin e kanë teknologjia dhe investitorët e vegjël, jo ndihmat e pandemisë 

Investitorët kanë dobësi për akronimet. Kohët e fundit, ata kanë përqafuar tregtinë TACO (Trump Always Chickens Out – Trump gjithmonë tërhiqet). Më parë ishin të dashuruar pas aksioneve FAANG (Facebook, Apple, Amazon, Netflix dhe Google).

Gjatë krizës së borxhit sovran në Europë në vitet 2010, tregtarët u shqetësuan për PIIGS (Portugalia, Italia, Irlanda, Greqia dhe Spanja). Një kujtesë e mirë për akronimet është një aset i vlefshëm për çdo historian financiar.

Por aksionet DORK mund të jenë më pak të njohura. Ato përfshijnë Krispy Kreme (DNUT), Opendoor, Rocket Companies dhe Kohl’s.

Këto kompani, një zinxhir dyqanesh me produkte pastiçerie, një agjenci pasurish të paluajtshme, një ofrues kredish hipotekore dhe një shitës tradicional me pakicë, kanë vlera tregu që variojnë nga 650 milionë deri në 31 miliardë dollarë.

Ajo që i lidh këto kompani është mungesa e interesit nga fondet spekulative, të cilat janë pozicionuar fuqishëm kundër tyre.

Nga ana tjetër, kanë ngjallur interes të jashtëzakonshëm nga investitorët e vegjël, të cilët po blejnë masivisht aksionet me shpresën që ata që kanë shitur aksionet në pritje të rënies (shitje e shkurtër), të detyrohen t’i blejnë sërish, duke rritur çmimin.

Vetëm gjatë korrikut, çmimi i Opendoor u rrit me mbi 500% përpara se të binte sërish. Ka nisur një tjetër valë spekulative rreth aksioneve që bëhen virale në rrjetet sociale, të quajtura meme stocks.

Kjo reflekton entuziazmin e tepruar që, katër vite më parë, çoi në rritjen galopante të çmimeve të GameStop dhe AMC, një rrjet kinemash. Edhe atëherë, si tani, tregtimet e vrullshme kishin pak lidhje me performancën financiare të kompanive.

Në atë periudhë, aktiviteti spekulativ u justifikua me stimujt financiarë të dhënë gjatë pandemisë nga qeveria dhe normat e ulëta të interesit.

Por sot, ky shpjegim duket më pak bindës. Entuziazmi i sotëm, ndoshta, pasqyron ndryshimet në teknologjinë e investimit të disponueshme për investitorët e vegjël.

Vala spekulative e ditëve të sotme shkon përtej aksioneve “meme”.

Kërkimi i analistëve të Goldman Sachs sugjeron se tregtia spekulative (në aksione të lira, kompani pa fitim dhe firma me vlerësimet më të larta) ka arritur nivele që janë parë vetëm dy herë më parë: gjatë bumit të fundit që kulmoi në vitin 2021 dhe gjatë “flluskës së dotcom” në fund të viteve ’90.

Edhe pse aktiviteti aktual mbetet më i ulët se ato kulme, është shumë më i lartë se ç’është konsideruar më parë si “normal”.

Shenjat e tjera të etheve spekulative janë kudo. Transaksionet me opsione “zero-ditore” – kontrata që skadojnë në të njëjtën ditë dhe preferohen nga tregtarët ditorë, janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit.

Sipas Cboe Global Markets, një bursë financiare, një rekord prej 2.1 milionë kontratash, u tregtuan në tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 1.4 milionë një vit më parë.

Bursa vlerëson se investitorët e vegjël përbëjnë të paktën gjysmën e kësaj tregtie.

Në vitet 2020 dhe 2021, kombinimi i politikave të lirshme monetare dhe fiskale u cilësua si faktori kryesor që nxiti spekulimin.

Stimujt financiarë të kohës së pandemisë shpërndanë para direkt te tregtarët e rinj, pikërisht në kohën kur të gjithë ishin të detyruar të qëndronin në shtëpi.

Robin Greenwood, Toomas Laarits dhe Jeffrey Wurgler, tre akademikë, e testuan këtë teori në vitin 2023.

Ata zbuluan se ndihmat si në Hong Kong, ashtu edhe në SHBA, shkaktuan një rritje jonormale të çmimit të aksioneve të preferuara nga investitorët e vegjël.

Por kjo nuk mund të jetë arsyeja sot. Ndihmat e fundit janë shpërndarë katër vjet më parë. Ndërkohë, politika monetare është shtrënguar: bilanci i Rezervës Federale është ngushtuar dhe obligacionet dhjetëvjeçare kanë yield mbi 4%.

Sipas studiuesve të Rezervës Federale të San Franciskos, kursimet e amerikanëve nga periudha e pandemisë janë shpenzuar që prej më shumë se një viti.

Megjithatë, edhe pa ndihmën e qeverisë, investitorët e vegjël me etje për spekulim po vazhdojnë të transformojnë tregjet. Sot ata përbëjnë rreth 20% të volumit total të tregtisë në SHBA.

Kjo është më pak se kulmi i vitit 2021 prej 24%, por shumë më lart sesa norma 10-16% e viteve 2010.

Ky ndryshim nuk është nxitur nga stimujt e qeverisë, por nga teknologjia. Aplikacionet për tregtinë e aksioneve u kanë dhënë individëve akses të lehtë në levë financiare dhe një gamë të gjerë titujsh për të zgjedhur.

Nuk është për t’u habitur që çmimi i aksioneve të Robinhood, një ndër ndërmjetësit më të mëdhenj dixhitalë, është rritur me 169% këtë vit. Investimi po tërheq gjithnjë e më shumë amerikanë nga shtresa të ndryshme.

Sipas JPMorgan Chase, gjithnjë e më shumë klientë të bankës po transferojnë para drejt llogarive të investimit. Pjesa e klientëve me të ardhura të larta që kanë vepruar kështu është dyfishuar midis viteve 2015 dhe 2023.

Për klientët me të ardhura të ulëta, kjo pjesë është katërfishuar.

Përtej spekulimit të shtuar, pasojat afatgjata të një tregu më të mbizotëruar nga investitorët e vegjël mbeten të paqarta. Disa investitorë shqetësohen se efekti është tashmë negativ.

Cliff Asness, themelues i fondit kuantik AQR, mendon se ky është ndoshta faktori më i madh në rënien e efikasitetit të tregut.

“Teknologjia, tregtia e projektuar të duket si lojë në telefonin tuaj dhe rrjetet sociale në veçanti mbajnë përgjegjësinë më të madhe”, shkroi ai në vitin 2024.

Prova e vërtetë do të vijë gjatë një krize të ardhshme serioze. Kur S&P 500 ra në fillim të këtij viti me mbi 20%, tregtarët e vegjël përfituan menjëherë nga ulja e çmimeve dhe pasoi një rikuperim i shpejtë.

Por ajo rënie ishte e lehtë krahasuar me standardet historike. Nëse ndodh një tkurrje më e thellë, e shoqëruar me recesion, a do të jenë blerësit e DORK dhe shokët e tyre po aq të guximshëm? Herët a vonë, investitorët do ta zbulojnë./Monitor