Maduro i bën thirrje popullit venezuelian të mobilizohet përballë k*rcënimeve të SHBA-së: Venezuela ju refuzon, duam paqe!

Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro të enjten i bëri thirrje Gardës Kombëtare dhe të gjithë popullit që të mobilizohen gjatë fundjavës për t’u përballur me kërcënimet e qeverisë amerikane. Ai e bëri këtë thirrje pasi administrata e Donald Trump njoftoi një operacion kundër trafikut të drogës në Karaibe, ku do të përfshihen forca detare, ajrore dhe tokësore.

Sipas burimeve në qeverinë amerikane, tre anije me helikopterë, tre shkatërrues të pajisur me raketa dhe sistemin Aegis, një nëndetëse dhe burime të tjera do të vendosen në brigjet e Venezuelës.

“E konsiderova të nevojshme dhe të përshtatshme të shtunën dhe të dielën të organizoja demonstrata të mëdha për t'i thënë imperializmit: Mjaft me kërcënimet tuaja! Venezuela ju refuzon, Venezuela dëshiron paqe!” tha Maduro.

Më herët këtë javë, Maduro aktivizoi një plan të posaçëm që parashikon vendosjen e 4.5 milionë rojeve kombëtare në të gjithë territorin e Venezuelës. Ai njoftoi gjithashtu një takim me të gjitha organet e sistemit të mbrojtjes kombëtare për të përshtatur planet operacionale.

Sipas njoftimeve të shtypit në SHBA, administrata Trump synon të dërgojë rreth 4,000 marinarë në rajon. Uashingtoni, i cili nuk i njeh rezultatet e dy zgjedhjeve të fundit presidenciale në Venezuelë, në të cilat Maduro u rizgjodh, e akuzon atë si kreun e një karteli, të cilin e përshkruan si një organizatë kriminale në të cilën janë të përfshirë edhe zyrtarë nga qeveria e tij dhe ushtria.