Zgjedhja e kryeparlamentares/ Mblidhet sot Kuvendi i Kosovës, a do të zgjidhet ngërçi politik?
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për të zhvilluar seancën e radhës me shpresën për konstituimin e saj. Seanca pritet të nisë në ora 11:00. Në rend dite është zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca e 20 gushtit dështoi pasi deputetët me votim të hapur nuk arritën të zgjidhnin kryeparlamentaren. Lëvizja Vetëvendosje propozoi sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit por ajo mori vetëm 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenim. Pas dështimit të parë LVV propozoi emrin e minstres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Edhe Gërvalla mori 57 vota, kundër votuan 56 deputetë, kurse tre deputetë abstenuan.
Seancat vijnë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin. Çështja e trajtuar lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike. Por, Gjykata tha se kërkesat e lëndëve ndërlidhen edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
