Gjykata liron nga akuzat Hernandez Govan, për organizimin e vrasjes së reperit, Young Dolph
Një juri në Memphis shpalli të pafajshëm Hernandez Govan, 45 vjeç, i akuzuar për organizimin e vrasjes së reperit të njohur Young Dolph, i cili u qëllua për vdekje në një furrë buke në nëntor 2021.
Juria u konsultua për rreth tre orë përpara se të shpallte Govanin të pafajshëm për akuzat e vrasjes së shkallës së parë dhe komplotit për vrasje. Govan, i cili nuk ishte autori i vrasjes, u akuzua nga prokurorët se kishte urdhëruar dy burra për ta kryer atë.
Prokurorët u mbështetën kryesisht te dëshmia e Cornelius Smith Jr., një nga autorët e vrasjes. Smith dëshmoi se Govan e kishte punësuar atë për të kryer “vrasjet” për 10,000 dollarë. Prokurorët paraqitën gjithashtu komunikime me celular midis Govan, Smith dhe autorit tjetër të dënuar, Justin Johnson.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Govan, Manny Arora, argumentoi se dëshmia e Smith ishte e pabesueshme, duke theksuar se ai do të bënte gjithçka për të marrë një dënim më të lehtë. Ai vuri në dyshim hetimin e policisë dhe mungesën e provave direkte që lidhnin Govanin me vrasjen.
Dënim i ndryshëm për autorët
Dëshmitari kyç, Cornelius Smith Jr., është akuzuar gjithashtu për vrasje dhe komplot për vrasje, por nuk është gjykuar ende. Autori tjetër i vrasjes, Justin Johnson, u dënua me burgim të përjetshëm në shtator të vitit 2024.
Lirimi i Govan hedh një dritë të re mbi këtë çështje të ndërlikuar, duke lënë pa përgjigje pyetjet se kush e organizoi vrasjen e reperit të famshëm, i cili njihej në qytetin e tij për veprat bamirëse dhe talentin muzikor.
