Ushtria izraelite përparon në Gaza, 50 mijë rezervistë të mobilizuar! Lagjet periferike janë nën kontroll
Pavarësisht kritikave të shumta ndërkombëtare, Izraeli duket i vendosur për të hyrë në fazën tjetër të luftës në Rripin e Gazës, me qëllimin përfundimtar, pushtimin e plotë të territorit dhe çmontimin e Hamasit.
Që prej të enjtes, ushtria izraelite ka nisur një operacion të gjerë ushtarak, për të cilin janë mobilizuar mbi 50 mijë rezervistë. Zëdhënës të ushtrisë konfirmojnë se lagjet periferike të qytetit të Gazës janë tashmë nën kontrollin e tyre, ndërsa ofensiva do të intensifikohet në ditët në vijim.
Ndërkohë, edhe pse Hamas ka pranuar një plan të ri për armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari, Izraeli ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.
Zyrtarët izraelitë thonë se po bëhen përpjekje për evakuimin e civilëve dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare. Një deklaratë e fundit bën thirrje për evakuimin e stafit mjekësor dhe organizatave ndërkombëtare drejt jugut të Gazës.
Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se planet për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës janë përshpejtuar, megjithatë, sipas mediave izraelite, bëhet fjalë për një operacion të gjatë ushtarak, që mund të zgjasë deri në vitin 2026.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përsëriti thirrjen për armëpushim të menjëhershëm, gjatë një konference ndërkombëtare në Japoni.
“Nevoja për armëpushim në Gaza është jetike, për të shmangur vdekjen masive dhe shkatërrimin e plotë që do të sillte një ofensivë në qytetin e Gazës,” u shpreh Guterres.
Ai gjithashtu dënoi vendimin e Izraelit për të zgjeruar ndërtimin e vendbanimeve hebraike në territoret palestineze, duke paralajmëruar se krijimi i 3,500 apartamenteve të reja në Bregun Perëndimor është shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Në një lëvizje të pazakontë, edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka apeluar për përmbajtje nga pala izraelite.
“Çdo zgjerim i operacioneve ushtarake mund të sjellë një krizë humanitare të pakthyeshme,” deklaroi zëdhënësi i organizatës nga Gjeneva.
Sipas tij, urdhrat për evakuim tashmë përfshijnë 80% të sipërfaqes së Gazës, duke e bërë të pamundur për civilët që të strehohen në një hapësirë kaq të kufizuar.
Ndërkohë që përplasjet intensifikohen, situata humanitare në Gaza mbetet alarmante, me mungesa të theksuara në ushqime, ujë të pijshëm dhe ndihma mjekësore, ndërsa bota vijon të bëjë thirrje për ndalimin e gjakderdhjes.
