Uganda arrin marrëveshje me SHBA-në për të pranuar migrantë

Uganda ka rënë dakord të pranojë migrantë që nuk kualifikohen për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha sot një zyrtar i ministrisë së Jashtme, në përpjekjen më të fundit të Uashingtonit për të përshpejtuar dëbimet.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka negociuar marrëveshje për të dërguar persona në vende të treta, mes tyre El Salvadorin dhe Eswatinin, gjë që është kritikuar ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Uganda strehon aktualisht rreth 1,7 milionë refugjatë, duke e bërë vendin me popullsinë më të madhe të refugjatëve në Afrikë, dhe tani është shteti më i fundit në Afrikën Lindore që njofton një marrëveshje të tillë me Uashingtonin, duke iu bashkuar Ruandës dhe Sudanit të Jugut.

“Marrëveshja lidhet me shtetas të vendeve të treta të cilëve mund t’u mohohet azili në SHBA, por që janë hezitues ose kanë shqetësime për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës,” tha sekretari i përhershëm i Ministrisë së Jashtme të Ugandës, Vincent Bagiire, në një deklaratë në X.

Ai shtoi se bëhet fjalë për një “marrëveshje të përkohshme”, e cila përcakton se “individët me precedentë penalë dhe të miturit e pashoqëruar nuk do të pranohen”.