Shpërndahet online video-ja int*me e Stefano De Martino me të dashurën pas hakerimit të kamerave të shtëpisë

Një kamera shtëpie e kthyer në një sy spiun. Kështu e zbuloi Stefano De Martino që jeta e tij private ishte bërë papritur publike. Natën e 9 gushtit, dikush hakeroi sistemin e sigurisë me kamera, të instaluar në apartamentin në Romë të të dashurës së tij, Caroline Tronelli, 22 vjeç. Prej aty, hapi ishte i shkurtër: një video që tregonte çiftin në një moment intim nisi të qarkullonte në rrjete sociale dhe në grupe chat, duke kaluar nga një faqe e huaj (më pas e bllokuar) te grupet në Telegram dhe WhatsApp, deri edhe në Facebook.

Për moderatorin 35-vjeçar, ish-balerin, sot një nga fytyrat kryesore të Rai1, nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për një shkelje jashtëzakonisht të rëndë të privatësisë. Aq më tepër që, bashkë me emrin e tij dhe të së dashurës së re, në vorbullën e komenteve përfundoi edhe djali i tij 12-vjeçar me Belen Rodriguez, i cili u bë objekt i fyerjeve të panevojshme. “Të turpshme”, i quajti De Martino, i cili përmes avokatëve Angelo dhe Sergio Pisani bëri kallëzim si në Prokurorinë e Romës ashtu edhe në policinë postale të Porto Cervo-s, ku ndodhej me pushime kur mori vesh çfarë kishte ndodhur.

Hetimet nisën menjëherë. Nuk është e qartë nëse bëhej fjalë për një sulm të qëllimshëm apo nëse hakerët goditën rastësisht, duke gjetur në serverët e lidhur me kamerat e banesës së Tronellit (përmes modem-it shtëpiak) materiale që u garantonin shikueshmëri dhe fitim. Fakt është që videoja doli në një portal që grumbullon mijëra regjistrime të ngjashme të vjedhura në mbarë botën, nga Shtetet e Bashkuara deri në Iran, duke kaluar edhe nga disa qytete italiane.

Autoriteti i Privatësisë ka nisur tashmë një hetim dhe ka urdhëruar heqjen e menjëhershme të materialit. Por, siç ndodh shpesh në raste të tilla, sapo imazhet kanë nisur të qarkullojnë, fshirja totale bëhet pothuajse e pamundur. Dhe pikërisht kjo e bën ngjarjen edhe më të dhimbshme.

Avokatët kanë njoftuar se çdo dëmshpërblim i mundshëm do të jepet për bamirësi, në mbështetje të nismave kundër cyberbullizmit dhe për fëmijët. Një mënyrë për ta kthyer një episod shkatërrues në një rast ndërgjegjësimi. Sepse e vërteta është e thjeshtë: nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për një personazh të famshëm apo për një vajzë të zakonshme, kushdo që shpërndan, ruan apo komenton video intime të vjedhura, kryen një krim.