Anna Kournikova qetëson fansat pas fotove në karrocë: Ishte vetëm një alarm fals
Ish-tenistja ruse Anna Kournikova, dikur një nga figurat më të famshme të sportit botëror dhe ikonë e viteve ’90, rikthehet në qendër të vëmendjes, këtë herë për një arsye që shqetësoi fansat. Para disa muajsh, paparacët e kapën në një qendër tregtare në Miami, e ulur në karrocë dhe me një bllokues ortopedik në këmbë. Fotot u përhapën me shpejtësi, duke ngjallur dyshime për një dëmtim serioz.
Megjithatë, frika zgjati pak. Në moshën 44-vjeçare, Kournikova është shfaqur sërish në formë të mirë, duke u kujdesur për tre fëmijët e saj, binjakët Lucy dhe Nicholas, 7 vjeç, dhe vogëlushen Mary, 5 vjeçe, në një aktivitet të arteve marciale. Pamjet e publikuara nga Daily Mail tregojnë se këmbët e ish-sportistes janë në gjendje të shkëlqyer dhe shqetësimi ishte i tepërt.
Kournikova, e cila arriti deri në vendin e tetë të renditjes botërore dhe u vlerësua disa herë si “atletja më seksi në botë”, kurrë nuk fitoi një titull të madh. Por popullariteti i saj tejkaloi tenisin: nga fushat e lojës, ajo kaloi në pasarela dhe kopertina revistash, duke u bërë një figurë e kulturës pop dhe pjesë e “jetës glamuroze” pas martesës me këngëtarin Enrique Iglesias.
Sot, edhe pse larg tenisit profesionist, Kournikova mbetet një emër që ngjall interes sa herë që shfaqet publikisht dhe fansat e saj u lehtësuan kur panë se alarmi për shëndetin ishte vetëm një keqkuptim.
