Hamilton nuk fiton, por te Ferrari janë të lumtur. Britaniku është “magnet” për paratë
Në 14 gara këtë sezon, Luis Hamilton nuk ka hipur asnjëherë në podium. E vetmja kënaqësi, fitorja në “sprintin” e Kinës. Bilanci i sezonit të tij të parë me Ferrarin, për momentin, është fort negativ në pistë. Ama negativ në pistë, pozitiv në llogari.
Nga pikëpamja tregtare, martesa mes Ferrarit dhe kampionit të shtatëfishtë të botës ka shumë kuptim. Të nisemi nga një e dhënë zyrtare. Në gjysmën e parë të vitit 2025 grupi Ferrari regjistroi një fitim neto prej 837 milionësh, me rritje 9%. Një kontribut i çmuar erdhi nga ekipi i Formula 1. Aktiviteti në Botëror hyn te të ardhurat nga sponsorët, kontratat tregtare dhe “branding”-u.
Kjo linjë mund të konsiderohet si qarkullimi i skuderisë Ferrari, edhe pse kompania nuk jep shifra specifike, pasi ka vetëm një segment biznesi (“one-segment company”). Në periudhën janar-qershor, që përkon me pjesën e parë të sezonit 2025 të F1, këto të ardhura u rritën nga 313 në 396 milionë, falë partneriteteve të reja dhe, për 30-40 milionë, rritjes së shpërblimeve për vendosjen më të mirë në Formula 1 në 2024 krahasuar me 2023 (“Liberty Media” i shpërndan me vonesë).
Me gjithë mungesën e gjatë të titujve (2008 i fundit për konstruktorë, 2007 i fundit për pilotë me Raikonen), të ardhurat “sportive” të Ferrarit janë rritur vazhdimisht prej vitesh: 499 milionë në 2022, 572 në 2023, 670 në 2024 dhe +27% në gjysmën e parë 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Hamilton u fut në këtë trend dhe shërbeu si përshpejtues. Britaniku është një magnet i papërsëritshëm në botën e motorëve. Mjaftojnë disa shifra për ta kuptuar. Hamilton ka 40,3 milionë ndjekës në “Instagram”, më shumë se dyfishi i shokut të skuadrës Lëklerk (19,7) dhe vetë Ferrarit (19,1). Megjithëse po përjeton rënien e karrierës, në moshën 40 vjeç ai vazhdon të jetë në top 20 të sportistëve që fitojnë më shumë nga tregu komercial, sipas Forbes: 20 milionë dollarë. Piloti i dytë, Vershtapen, është shumë më poshtë (6).
LLOGARITJET – Por si mund të vlerësohet kthimi i investimit të operacionit Hamilton për Ferrarin? Ndikimi më i madh gjendet tek kontratat e sponsorizimit dhe reklamës. Sipas vlerësimit tonë, me ndihmën e “StageUp”, prania e Hamiltonit solli një rritje prej rreth 50 milionë eurosh në vit nga sponsorët. Në prill 2024, pas njoftimit të firmës me pilotin, u nënshkrua marrëveshja me HP për 80-90 milionë.
Ferrari u kthye të ketë sponsor kryesor pas 3 vitesh. Këto dhe kontratat e tjera të firmosura paraprakisht nuk pësojnë rënie për shkak të rezultateve të dobëta. Një tjetër levë është shfrytëzimi i markës (modë, produkte, licencime). Skenari më optimist parashikonte rritje prej të paktën 50 milionësh. Sezoni i dobët ka ndikuar patjetër, për një vlerësim të përditësuar prej 20- 25 milionësh.
ARSYET – Gjithsesi, mund të thuhet se Hamilton vlen rreth 70 milionë si ndikim në xhiron e Ferrarit. Efekti do të ishte edhe më i madh nëse Ljuis do të luftonte për kreun. Por, pavarësisht gjithçkaje, kthimi i investimit ekziston, duke pasur parasysh që paga e tij sillet rreth 40 milionësh. Dhe arsyen e shpjegon Giovanni Palazzi, president i StageUp. “Rritja e shitjeve dhe e të ardhurave nga sponsorët shpjegohet me atraktivitetin e Hamilton, i cili nuk është vetëm një pilot, por një mit sportiv i gjallë. Imazhi i tij tejkalon Formula 1 dhe flet për një audiencë globale, duke bashkuar sportin, modën dhe kulturën pop.
Ky ndikim planetar, i bashkuar me legjendën e “kalit”, krijoi me njoftimin dhe pastaj me nisjen e këtij sezoni një kombinim të parezistueshëm për fansat dhe markat, duke u përkthyer në shitje rekord dhe partneritete të nivelit më të lartë. Natyrisht, ekziston një brishtësi: nëse rezultatet negative do të zgjasin shumë, edhe miti mund të pësojë, me pasoja në entuziazëm dhe në kthimin tregtar”, tha ai.


