Galatasaray, pranë marrëveshjes me Manchester City-n për mbrojtësin zviceran
Galatasaray është shumë afër sigurimit të shërbimeve të mbrojtësit zviceran, Manuel Akanji, nga Manchester City.
Sipas raporteve në Angli, klubet kanë arritur një marrëveshje për rreth 15 milionë paundë, megjithëse ende nuk ka një akord personal mes lojtarit dhe turqve.
Gazetari Fabrizio Romano konfirmoi se pas dakordimit mes klubeve, Galatasaray pritet t’i paraqesë ofertën zyrtare Akanji-t brenda 24 orëve.
Megjithatë, mbrojtësi 29-vjeçar nuk ka dhënë ende një përgjigje mbi pranimin e destinacionit.
Largimi i tij do të ishte një humbje e ndjeshme për City-n, duke pasur parasysh se Akanji ka zhvilluar mesatarisht 45 ndeshje në sezon gjatë tri viteve të fundit.
Përveç rolit të tij si qendërmbrojtës, zvicerani ka treguar fleksibilitet duke luajtur edhe si mbrojtës krahu apo mesfushor difensiv kur Guardiola ka pasur nevojë.
Në rast të largimit, Pep Guardiola do të mbështetet tek Ruben Dias, John Stones, Nathan Aké, Josko Gvardiol dhe Abdukodir Khusanov, ndërsa Vitor Reis është huazuar te Girona.
Megjithëse emrat janë të shumtë, shqetësimet mbeten për shkak të problemeve të shpeshta fizike të Stones dhe Aké, ndërsa Khusanov nuk shihet ende gati për një rol të rregullt në Premier League.
Akanji iu bashkua Manchester City-t në vitin 2022 për një shumë të ngjashme dhe u bë menjëherë pjesë e rëndësishme e ekipit, duke fituar “Tripletën” historike (Premier League, FA Cup dhe Champions League) në sezonin e parë.
Ky operacion mund të jetë vetëm i pari nga një seri largimesh në Etihad, pasi Guardiola ka theksuar dëshirën për të punuar me një skuadër më të reduktuar për sezonin 2025/26.
Ndërkohë, edhe emra të tjerë si Ederson, Nico Gonzalez dhe Savinho janë të lidhur me një largim të mundshëm nga kampionët e Anglisë.
