Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, një kontribues i vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë.
“E trishtë dita sot me ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë. Me mbi 30 vite në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura, Shpëtimi la gjurmë jo vetëm me profesionalizmin e tij, por edhe me dashurinë dhe kujdesin e pashtershëm për çdo pemë, pyll e ekosistem natyror ku punoi”, vlerësoi ministrja.
Kumbaro vlerësoi kontributin e tij prej 30 vitesh në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura.
“Mirënjohje dhe respekt të thellë për kontributin e tij të vyer, i cili do të mbetet i gjallë tek kolegët, tek natyra që mbrojti me gjithë zemër dhe tek brezat që do të ndjekin rrugën e tij”, u shpreh Kumbaro.
