Ndërprerja e përkohshme e faqes zyrtare, KLP: Proces teknik i planifikuar, jo problem sigurie

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar lidhur me ndërprerjen e përkohshme të faqes së tij zyrtare, duke sqaruar se bëhej fjalë për një proces krejtësisht teknik dhe të planifikuar, pa ndikim mbi sigurinë e të dhënave apo proceset institucionale.

Sipas KLP-së, migrimi i infrastrukturës teknologjike nga serveri ekzistues në platformën moderne dhe të sigurtë Microsoft Azure ishte arsyeja e ndërprerjes, e cila tashmë është zgjidhur dhe faqja është rikthyer në funksion.

Gjatë këtij procesi, siguria e informacionit ka qenë e garantuar, ndërsa Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka qenë i informuar, duke monitoruar infrastrukturën 24/7.

KLP thekson se ky hap është pjesë e përmirësimit të cilësisë, sigurisë dhe stabilitetit të shërbimeve ndaj publikut dhe institucioneve.

Në përfundim, Këshilli fton median të kontribuojë në informimin e drejtë të qytetarëve dhe në shmangien e çdo dezinformimi që mund të lindë gjatë proceseve të tilla teknike.