NGA ZYRAT TEK FAMILJA/ Nga periudha Janar-Korrik 212.000 gra u larguan nga puna në SHBA
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë një largim të qëllimshëm të grave të kualifikuara nga fuqia punëtore në SHBA, për t’i dedikuar familjes. Megjithëse shihet si një zgjedhje individuale, fenomeni ngre pikëpyetje për qëndrueshmërinë e përfaqësimit gjinor në pozitat drejtuese dhe në zhvillimin e karrierës.
Të dhënat më të fundit të punësimit nga qeveria e Shteteve të Bashkuara tregojnë se midis janarit dhe korrikut 2025, 212,000 gra u larguan nga puna ndërkohë që 44,000 meshkuj e fituan një të tillë.
Këto shifra tërheqin vëmendje në një kohë kur një numër gjithnjë e më në rritje i grave me karriera të suksesshme po rishqyrtojnë pozicionet e tyre.
Një fenomen i quajtur “nevoja për një pauzë”, po shfaqet mes grave të arsimuara dhe me përvojë.
Sipas një artikulli të fundit të “New York Times”, ato me vetëdije po vendosin të ndalojnë karrierën e tyre që të kalojnë më shumë kohë me familjen, të ndërmarrin rrugë të reja personale ose profesionale, ose thjesht të rikalibrojnë prioritetet e tyre.
Këto gra nuk po largohen nga puna për shkak të pamundësisë ekonomike apo mungesës së alternativave, por si një zgjedhje personale për më shumë kontroll mbi jetën e tyre.
Sipas artikullit pandemia e Covid-19 ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë ndryshim.
Gjatë periudhës së izolimit, shumë gra përjetuan për herë të parë çfarë do të thoshte të kaloje kohë të zgjatur me fëmijët dhe familjen, duke i bërë të rishikojnë vlerat e tyre dhe mënyrën se si duan të jetojnë.
Që nga ajo kohë, është vënë re një rritje në numrin e grave që identifikohen si nëna shtëpiake ose që punojnë me kohë të pjesshme shpesh jo për arsye financiare, por sepse kjo përputhet më shumë me jetën që duan të ndërtojnë.
Ky trend, ndonëse fuqizues për një kategori grash, ngre edhe pyetje shqetësuese mbi barazinë gjinore në vendin e punës. Ndërkohë që disa gra largohen me zgjedhje dhe me mundësi për t’u rikthyer, të tjera nuk e kanë këtë luks.
Pabarazitë strukturore, kostoja e lartë e kujdesit për fëmijët dhe mungesa e fleksibilitetit vijojnë të pengojnë shumë gra të qëndrojnë në punë.
Një faktor tjetër që ndikon është edhe klima kulturore dhe politike. Me një rikthim të estetikave tradicionale gjinore ne shume vende, gratë ndihen të ndara mes përgjegjësisë për të përfaqësuar avancimin në karrierë dhe nevojës për të zgjedhur mirëqenien e tyre.

