Zjarret, PL: Të shpallet gjendja e emergjencës kombëtare

Anëtarja e Kryesisë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj deklaroi sot se, viti 2025 do të mbahet mend si viti kur Shqipëria u dogj dhe shteti dështoi ta mbrojë.

“Nga veriu në jug, flakët kanë përpirë pyje, toka bujqësore, pasuri natyrore dhe kanë rrezikuar drejtpërdrejt banesa e jetë njerëzish”, tha ajo në një deklaratë për shtyp.

“Në Delvinë, një vatër e madhe zjarri ka shkrumbuar zona të tëra, ndërsa situata është po aq alarmante në dhjetëra pika të tjera në vend”, u shpreh Ibraj.

“Kjo nuk është thjesht një fatkeqësi natyrore , është prova e dështimit të një qeverie që nuk ka as plan parandalimi, as infrastrukturë për reagim të shpejtë dhe efektiv”, shtoi ajo.

“Zjarrfikësit tanë, njerëzit në vijën e parë të përballjes, janë lënë të luftojnë me duar bosh. Pajisjet janë të vjetra, mjetet janë të pamjaftueshme, mbështetja ajrore mungon dhe koordinimi mes institucioneve është minimal. Zona të tëra me rrezik të lartë mbeten pa mbulim, ndërsa çdo ndërhyrje është e vonuar dhe e fragmentuar”, theksoi Ibraj.

Partia e Lirisë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri.

“Por mbi të gjitha, i bëjmë thirrje qeverisë të shpallë pa asnjë vonesë gjendjen e emergjencës kombëtare. Kjo është e vetmja mënyrë për të mobilizuar burime shtesë, për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe për të koordinuar një plan të centralizuar ndërhyrjeje në të gjithë territorin. Çdo orë vonesë është një orë humbje.

Shqipëria nuk mund të jetojë me skenarin e përvitshëm ku zjarret shkatërrojnë gjithçka dhe më pas harrohen deri vitin tjetër. Një shtet serioz matet nga aftësia për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën e tij. Në këtë provë, qeveria e sotme ka dështuar”, deklaroi Ibraj.