Vendi “në l*ftë” me flakët/ Kisha Ortodokse: Lutemi për pushimin e shpejtë të zjarreve

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka zhvilluar një lutje speciale lidhur me situatën e zjarreve në vend, që kanë shkaktuar një humbje jetë, djegien e shumë banesave dhe evakuimin e banorëve në disa fshatrat të vendit.

Kisha u bën thirrje besimtarëve që të bashkohen në lutje, në këtë kohë të vështirë, dhe të kërkojnë me besim mbrojtje dhe paqe për vendin dhe njerëzit që po vuajnë nga pasojat e zjarreve.

“Me vendim të Sinodit të Shenjtë, në shenjë solidariteti me situatën e rëndë që po kalon vendi ynë për shkak të zjarreve të shumta, në Litanitë e Paqes së Liturgjisë Hyjnore dhe të shërbesave të shenjta, shtohet lutja e mëposhtme:

“Për pushimin e shpejtë dhe pa pasoja të zjarreve, për shpirtrat e atyre që humbën jetën dhe për ndihmën e vëllezërve e motrave që gjenden në rrezik e në vuajtje për shkak të tyre, me përgjërim dhe solidaritet, le t’i lutemi Zotit.”

Kjo lutje do të shqiptohet veçanërisht në të gjitha shërbesat e shenjta të festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses Mari, më 15 gusht, një ditë tepër e shenjtë dhe e dashur për besimtarët orthodhoksë shqiptarë.

I bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve të marrin pjesë duke bashkuar zërin e tyre në lutje, që me ndërmjetësinë e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, vendi ynë të ruhet dhe shpëtohet nga çdo rrezik dhe fatkeqësi”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, 29 vatra mbeten aktive, ku situata më problematike paraqitet në Gramsh, Delvinë, Tepelenë dhe Poliçan, ku flakët kanë hyrë në zonat e banuara.