Nga Rubin Kazan te Sampdoria, sulmuesi shqiptar: Mezi po pres të debutoj, këtu ambiciet janë të larta
Marvin Çuni, përforcimi i parë i Sampdorias në këtë merkato, mezi pret të zbresë në fushë me fanellën “blucerchiata”.
Në një intervistë për La Repubblica – Genova, sulmuesi ka treguar emocionet dhe pritshmëritë për këtë aventurë të re.
“Çfarë pritjeje… mezi po pres momentin për të nisur.
Ky debutim më emocionon, kjo aventurë më tërheq shumë”, u shpreh Çuni, i cili pritet të bëjë paraqitjen e parë në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Spezias.
Sulmuesi shqiptar e di mirë peshën e fanellës që do të mbajë:
“Unë nuk jam tipi që bën premtime të mëdha dhe jam dakord me idenë e trajnerit Donati për të ecur me hapa të vegjël, ndeshje pas ndeshjeje.
Por, kur vjen te Sampdoria, e di çfarë të pret dhe çfarë ambiciesh duhet të kesh.
Synimi është gjithmonë lart.
Ky klub ka histori në Serinë A, tifozët janë mësuar me nivele të mëdha dhe mbështetja e tyre të bën të dyfishosh përpjekjet e tua. Është një motivim i jashtëzakonshëm.”
Çuni foli edhe për largimin nga Rusia:
“Si futbollist duhet të përqendrohesh në fushë, por është e rëndësishme edhe mjedisi ku jeton.
Në Rusi, -20°C në dimër… ishte e papërballueshme. Nuk u përshtata dot, futbolli dhe mentaliteti ishin ndryshe.
Italia është e mrekullueshme, një vend ku mund të jetosh përgjithmonë.”
Sezonin e kaluar, Marvin Çuni regjistroi 10 paraqitje te Rubin Kazanin (në formë huazimi) në kampionat, por pa mundur te realizonte qoftë një gol.
