Mesazh i fortë në Superkupën e Europës, UEFA shpalos pankartë kundër vra*jes së fëmijëve dhe civilëve
Para fillimit të finales së Superkupës së Europës mes PSG-së dhe Tottenham-it, UEFA shpalosi të mërkurën një pankartë gjigante me një mesazh të qartë: “Ndaloni së vrari fëmijët, ndaloni së vrari civilë”.
Edhe pse pa përmendur drejtpërdrejt ndonjë vend, mesazhi iu drejtua hapur Izraelit, në sfondin e konfliktit të vazhdueshëm me Palestinën.
Pankarta u vendos pranë zonës së stolave të ekipeve dhe ishte në fokus gjatë hyrjes së lojtarëve në fushë.
Në ceremoninë e ndeshjes morën pjesë edhe dy fëmijë refugjatë nga Gaza, Tala dhe Mohamed, të cilët u shfqën në momentin e shpalljes së fituesve.
Ky veprim erdhi pas polemikave me të cilat UEFA u përball javët e fundit, kur publikoi një mesazh ngushëllimi për vdekjen e palestinezit Suleiman Al-Obeid, i cili humbi jetën në një sulm izraelit, por pa përmendur rrethanat e ngjarjes.
Mesazhi i atëhershëm u kritikua gjerësisht, madje edhe nga ‘ylli’ egjiptian i Liverpool-it, Mohamed Salah, i cili në rrjetin X pyeti: “A mund të na thoni si vdiq, ku dhe pse?”.
Finalja u zhvillua në “Bluenergy Stadium” të Udines, i cili më 14 tetor do të presë edhe ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2026 mes Italisë dhe Izraelit, çka pritet ta mbajë të ndezur debatin për këtë çështje.
