Tottenham-i dënon ashpër abu*imin ra*ist ndaj Mathys Tel për penalltinë e humbur
Tottenham Hotspur ka reaguar me indinjatë pas abuzimit racist që sulmuesi Mathys Tel mori në rrjetet sociale, pas humbjes së penalltisë në finalen e Superkupës së Europës ndaj Paris Saint-Germain.
Tel, i cili u bashkua përfundimisht me “Spurs” këtë verë nga Bayern Munich për 30 milionë paundë, humbi një penallti gjatë goditjeve të 11-metërshave, pas një barazimi dramatik 2-2 në kohën e rregullt.
Londinezët kishin udhëhequr 2-0 deri në minutën e 85-të me golat e Micky van de Ven dhe Cristian Romero, por PSG barazoi me Lee Kang-in dhe Gonçalo Ramos.
Në serinë e penalltive, skuadra franceze fitoi 4-3.
Në një deklaratë zyrtare, klubi anglez reagoi:
“Ne jemi të neveritur nga abuzimi racist që Mathys Tel ka marrë në rrjetet sociale pas humbjes së mbrëmshme.
Mathys tregoi guxim dhe vendosmëri për të dalë e marrë përgjegjësinë e një penalltie, ndërsa ata që e shajnë fshihen pas profileve anonime për të shpërndarë urrejtjen e tyre të neveritshme.
Do të bashkëpunojmë me autoritetet dhe platformat e rrjeteve sociale për të marrë masat më të ashpra ndaj kujtdo që mund të identifikohet.
Ne jemi me ty, Mathys.”
Ky rast ka ndezur sërish debatin mbi abuzimin online ndaj sportistëve dhe nevojën për masa më të forta për ta ndaluar atë.
