Ozuni: Jugu është plot, por zonat elitare ankohen për mungesë turistësh
I ftuar në studion e lajmeve të "Ora News", eksperti i turizmit Feriolt Ozuni analizoi situatën e sezonit veror në jug të vendit, duke theksuar se ankesat kryesore vijnë nga destinacionet elitare ku çmimet mbeten të larta dhe fluksi i turistëve është kryesisht gjatë fundjavave.
"Kemi një situatë që shpeshherë duket paradoksale për vetë faktin sepse numra ka por jugu ankohet.
Kam përshtypjen që erdhi momenti që jugu të kuptojë dhe kur them jugu nuk e kam fjalën për të gjithë, se kemi dhe një problem tjetër me kategorizimin e jugut. Po të shohim ankesat më të mëdha vijnë nga zona apo rajone që shpeshherë kanë qenë tabu si për turistët ashtu edhe për shqiptarët. Flasim për zonat si Jala, Dhërmiu, Palasa, ku kanë qenë më shumë epiqendra, apo këndi i lojërave për qytetarët e kryeqytetit me të ardhura të larta.
Kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë zona ku fluksi më i madh i lëvizjes në ato zona është në periudhën e fundjavës.
Pra, e premte e shtunë e diel, ndoshta dhe ndopak nga e enjtja, nuk kanë qenë asnjëherë zona që kanë pasur një numër të konsiderueshëm vizitorësh në ato pika, sepse janë zona të nivelit të lartë financiar ku duhen të ardhura të mëdha dhe shpenzimet janë të larta.
Jugu i plotë, pra duke filluar nga Vlora dhe poshtë, nuk është se është aq keq sa diskutohet lartë e poshtë. Më shumë biznese që ankohen janë ato që deri dje janë ankuar, janë këto që deri dje kanë pasur këto çmimet e frikshme.
Saranda është plotë, Ksamili është plotë", u shpreh Ozuni.
